Botë

Stoltenberg: Aleatët pranojnë, Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s

01.06.2023 18:41

Të gjithë aleatët e NATO-s u pajtuan që Ukraina duhet të bëhet anëtare e Aleancës...

Dera është e hapur për Kievin dhe Moska nuk ka të drejtë të vë veto ndaj zgjerimit. Ministrat e Jashtëm të NATO-s, në ditën e dytë të takimit në Oslo, bënë analizë të kostove të reja të mbrojtjes dhe marrëdhënieve të ardhshme me Ukrainën.
 
“Aleatët dhe partnerët e NATO-s kanë ofruar një nivel të paprecedentë mbështetjeje për Ukrainën, duke i ndihmuar ata të rifitojnë dhe çlirojnë territorin ukrainas. Ne diskutuam gjithashtu aspiratat e anëtarësimit dhe të gjithë aleatët tanë janë dakord që dera e NATO-s të jetë e hapur për anëtarët e rinj.”, - deklaroi sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
NATO duhet të mendojë se çfarë garancie për siguri mund t'i japë Kievit, tha shefi i diplomacisë franceze. MPJ gjermane ka vendosur që NATO të mos mund të pranojë anëtarë të rinj derisa ata janë në luftë.
 
“NATO gjithmonë ka sqaruar se aplikohet politika e dyerve të hapura. Në të njëjtën kohë, është e qartë se nuk mund të flasim për pranimin e anëtarëve të rinj që janë në mes të një lufte.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Baerbock.
 
Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, presidenti ukrainas Zelensky, foli gjithashtu për rëndësinë që NATO të ketë Ukrainën anëtare dhe paralajmëroi për agresion të mundshëm rus në pjesë të tjera të Evropës. 
 
Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së thotë se në takimin në Kishinau do të dërgojë një mesazh uniteti.
 
“Rusia nuk është këtu, jo sepse ne nuk duam ta ftojmë, por sepse Rusia e Putinit e ka përjashtuar këtë komunitet duke nisur këtë sulm, këtë luftë të pajustifikuar kundër Ukrainës.”, - u shpreh përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
 
Ndërkohë, ShBA miratoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 300 milionë dollarësh, ku ndër të tjera përfshihen edhe municione për mbrojtjen e Ukrainës. Sirenat e alarmit në Kiev gjatë u dëgjuan gjatë natës kur Moska kreu sulme në kryeqytetin ukrainas. Ka civilë të vdekur dhe të plagosur, mes tyre edhe fëmijë.
 
“U zgjova dhe pashë zjarrin. Më ishte thyer dera, zgjova nënën time dhe vrapuam në korridor. Ne pamë njerëz që vraponin. Dritaret u thyen, ballkonet u shkatërruan.”, - u shpreh një banore e Kievit, Nikita Maslun.
 
Granatime edhe në rajonin rus të Belgorodit, i cili kufizohet me rajonin e Kharkivit në Ukrainë. Guvernatori thotë se gjatë sulmit janë dëmtuar ndërtesat dhe disa persona janë lënduar.
 
"Ishte një mëngjes i keq në rajonin e Belgorodit, ka granatime të vazhdueshme nga Forcat e Armatosura të Ukrainës. Sapo të qetësohen granatimet, ne do të vazhdojmë të evakuojmë njerëzit. Të gjitha pikat e përkohshme të akomodimit janë gati.”, - theksoi guvernatori i rajonit Belgorod, Vyacheslav Gladkov.
 
Ditët e fundit, ndërtesat në Moskë u dëmtuan gjithashtu nga sulmet me dronë, për të cilat Kremlini fajësoi Kievin.
 
FITORE DEMOLLI