LSDM: Javën e ardhshme, takimi Kovaçevski-Mickoski
Takimi i liderëve Kovaçevski-Mickoski...

Takimi i liderëve Kovaçevski-Mickoski pritet të mbahet javën e ardhshme, konfirmojnë nga LSDM. Në këtë takim, socialdemokratët synojnë të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për ndryshimet kushtetuese që janë kusht për vazhdimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë.
Ata paralajmërojnë se përgjegjësia për të arritur konsensusin për ndryshimet kushtetuese mbetet te 120 deputetët, duke përfshirë edhe ata të VMRO-DPMNE-së, parti nën udhëheqjen e Mickoskit.
Në interes të procesit të integrimit evropian, LSDM e fton Mickoskin për takim, edhe pse ka kundërshtuar publikisht mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.
“Pas takimit me liderët, pres që të jepen përgjigje, nëse Hristijan Mickoski do të mbetet peng i së Majtës dhe do të jetë pjesë e bllokut antievropian së bashku me të Majtën, apo do t'i bashkohet bllokut evropian që do t'i sjellë prosperitet vendit dhe natyrisht bashkërisht do ta udhëheq procesin e integrimeve evropiane në vend, që vendi ynë sa më shpejt të pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.”, - deklaroi deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
Kryeministri Kovaçevski mbetet në qëndrimin se nëse nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese, në vend të integrimit do të kemi izolim dhe do të jemi në të njëjtën situatë si në periudhën 2006-2016.
VMRO-DPMNE: Nuk ka mbështetje për ndryshimet kushtetuese
Por, kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, nga ana tjetër, kërkon përgjigje nga Qeveria se si do të veprohet, pasi sipas tij, procesi i nisur nga Qeveria nuk do të jetë i suksesshëm, sepse grupi i tyre parlamentar nuk do t'i mbështesë ndryshimet kushtetuese.
“Në takim liderësh, nëse LSDM-ja pushon së luajturi lojëra për fëmijë, që në fakt e ka, do të bëhet më e qartë nëse Kovaçevski është servil ndaj BDI-së apo jo. Nëse LSDM mendon se dikush në vend beson se Artani dhe Talati janë evropianë dhe për vlera evropiane, atëherë ose e nënvlerësojnë popullin ose janë aq të korruptuar që nuk mund të nxjerrin zë nga BDI-ja.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Sipas opozitës, dalja nga kjo situatë do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa kryeministri Kovaçevski, nga ana tjetër, mbetet i mendimit se zgjedhjet duhet të mbahen në afat të rregullt, e jo votime të parakohshme. (Sedat Selimi, TVM2)
