Nishani, gati të dekretojë Ligjin për Dosjet
Pas situatës së fundit të tensionuar mes qeverisë dhe presidentit, ka qenë ky i fundit ai që ka zgjedhur të hapë rrugë...

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, tha sot se është gati të dekretojë Ligjin për Dosjet, madje ai sugjeroi që të nisë që këtë vit. Por, Nishani përkundër qeverisë, kërkoi edhe zbatimin e lustracionit, që do të thotë heqjen nga postet publike të bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit.
“Në këtë vit besoj është periudha më e mirë që parlamenti të miratojë një ligj të gjerë dhe të thellë për hapjen e dosjeve jo vetëm të drejtuesve të sigurimit të shtetit, por edhe të të gjithë bashkëpunëtorëve, duke qetësuar njëherë e përgjithmonë zemrat e shqiptarëve. Është vit i përshtatshëm që parlamenti të bëjë ligj lustracioni me eksperiencën e atyre vendeve që e kanë aplikuar. Sado që të zgjatet në kohë, sado të vonohet ky proces, Shqipëria do t’i hapë një ditë dosjet, jam i bindur për këtë. Është moment reflektimi nga të gjithë për të kompensuar kohën e humbur”- u shpreh kreu i shtetit, Bujar Nishani.
Por, ajo që ka habitur mbarë opinionin publik lidhet me faktin nëse Nishani do të pranojë që presidenti të mos jetë më kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Një javë më parë, përplasjet mes presidentit dhe qeverisë shkuan deri në fyerje të rënda publike. (Luljeta Ndoka, TVM2)
