Botë
Debat në Kuvend rreth tensioneve në Veri, Kurti: Policia në front me milicinë fashiste
02.06.2023 16:44
Policia e Kosovës është në vijë fronti me milicinë fashiste, e jo me qytetarët serb...

Policia e Kosovës është në vijë fronti me milicinë fashiste, e jo me qytetarët serb, ka deklaruar në Kuvend kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Rolin kryesor në organizimin e protestuesve në Veri janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajturës mbrojtje civile dhe ish-pjesëtarë serb të Policisë së Kosovës, ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur emrat e personave për të cilët thotë se janë pjesë e grupeve kriminale serbe në Veri.
“Millorad Jevtiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Gjithashtu, ka prezencë të madhe të përfaqësuesve të Listës Serbe në atë shtëpi, ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje, për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme. Niçko Jevtiq, pjesëtarë i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” në Zveçan, bashkë me të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në komunën e Zveçanit, babai i Miçko Jevtiq. Danillo Josifoviq, i njohur me nofkën “Përki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal, “Mbrojtje Civile”. Persona që po i shohim të maskuar në video e nëpër fotografi janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandër Filipoviq, që shtirej se është integruar në shtetin tonë, ky është personi kryesor që po i drejton ata, më 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”, Millan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë, Danillo Krivokapiq, Jovica Llazoviq, Nikolla Radimiroviq, vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq.”, - deklaroi kryeministri i RKS-së, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti njëherit tha se Qeveria e tij beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por se qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Kurti ka thënë se ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.
Opozita në Kosovë, kritika kryeministrit Kurti për tensionet në Veri
Por, liderët opozitarë lëshuan kritika të ashpra ndaj Kurtit rreth zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës.
“Sovranitetin si do ta shtrosh ti në Leposaviq kundër Amerikës, nëse ata janë duke ta kërkuar ty në veprim tjetër. Ti sovranitetin nuk mundesh ta mbash ndaq ta dish as në zyrën tënde, mos ta kesh mbështetjen e Amerikës, lëri më këto, flisni sinqerisht me popullin. Mua më ka zgjedhë populli, nuk më ka zgjedhë ambasadori, çfarë fraze është ajo, e vërtet është ajo.”, - theksoi Memli Krasniqi nga PDK-ja.
“Nga një situatë të pa menduar më parë, të pa precedentë e gjithsesi të rëndë, Kosova ende vazhdon të sulmohet prej këtyre bandave e kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve e aleatëve tanë ndërkombëtar. Kjo është gjendja sot, si rrjedhojë Kosova ka përfunduar e përballur me tension e paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese, kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në Veri, por ka përfunduar edhe me penalizim e dënim, sanksione e penalizim ndërkombëtar.”, - u shpreh Lumir Abdixhiku nga LDK-ja.
“Ju propozoj deputetë të nderuar pa i ndarë në parti, të shkojmë në mocion dhe ta ndërpremë mosbesimin deri në pabesi, poshtërimin deri në armiqësi dhe mashtrimin deri në tradhti. Pra, mocion ta shkarkojmë Kurtin.”, - theksoi Ramush Haradinaj nga AAK-ja.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin të hënën dhe të martën e javës që vjen.
Vizita e tyre, do të ketë për qëllim gjetjen e zgjidhjes për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi, ku udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në Veri të Kosovës.
Ndërsa, qëllimi i dytë i vizitës do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.
GYLTENE SINANI
