Maqedoni

Analistët: formo komision hetues që të mos zgjidhet një çështje

23.02.2015 17:13

Kërkesën e komisionerit evropian për zgjerim, Johanes Han, që opozita të publikojë të gjitha dëshmitë dhe ato të procedurohen në institucionet gjyqësore...

Kërkesën e komisionerit evropian për zgjerim, Johanes Han, që opozita të publikojë të gjitha dëshmitë dhe ato të procedurohen në institucionet gjyqësore, analisti politik, Ibrahim Mehmeti, e vlerëson si të arsyeshme, por ai është skeptik se realizimi i kësaj kërkese mund të ketë epilog pozitiv.
 
Sipas tij, besimi në drejtësinë e institucioneve  kompetente është në nivel tejet të ulët, prandaj LSDM-ja në pres-konferencë shpalos materialet e përgjimeve. 
 
“Disa herë janë lansuar edhe disa anekdota kur thuhet “nëse dëshiron të mos zgjidhet një çështje, formo një komision anketues ose komision parlamentar”. Në rastin konkret mendoj se problemi është aty se ne nuk kemi dialog elementar mes partive që kemi, kontest në këtë rast, dhe sa mund në këtë rast të jetë funksional një grup hetues. Kur nuk ka besim, atëherë mosbesimi dhe dyshimi vetëm shumëfishohet dhe ju shkon atyre që nuk kanë qëllime shumë demokratike, por tentojnë të shfrytëzojnë rastin për përfitime politike, ose më mirë thënë partiake”- deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
 
Afera “Përgjim” është fillim i zgjidhjes serioze të nyjës politike, e cila vjen duke u bërë gjithnjë e më e vështirë, theksoi analisti politik, Petar Arsovski. 
 
“Nuk jam i sigurt se institucionet do të fillojnë një proces të dytë nga materialet që po publikon Zaevi para se të mbarojnë rastin e parë, pra “PUÇ”-in. Sipas meje, nuk do t’i hapin të dyja rastet paralelisht, por njëherë me siguri do të zbërthejnë rastin “PUÇ”, e më pas do të mund të diskutojnë për aferën e përgjimeve. Gjithsesi, është një situatë e palakmueshme për institucionet, sepse duhet vendosur në një situatë kur duhet të zgjedhin mes pushtetit të tanishëm dhe materialeve që publikon kreu i LSDM-së, e të cilat assesi nuk mund të injorohen”- tha analisti, Petar Arsovski.
 
Sipas analistëve, LSMD-ja qëllimisht po i publikon dëshmitë në këtë formë, sepse para ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, e cila është e domosdoshme, kjo parti mundohet të kthejë besimin e qytetarëve, si dhe të nxjerr në pah manipulimet e pushtetit.
 
SANIJE KASAMI