Botë

Zelensky: Ukraina, e gatshme për kundërofensivë

03.06.2023 15:15

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shteti i tij...

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shteti i tij, është i gatshëm të nisë kundërofensivën e shumëpritur, për t’i çliruar territoret e pushtuara nga forcat ruse. 
 
Por, ai ka paralajmëruar se kundërofensiva do të jetë e kushtueshme. 
 
“Ne besojmë fuqishëm se do të dalim fitimtarë”, ka thënë Zelensky për, Uoll Strit Jurnal. “Nuk e di sa do të zgjasë. Për të qenë i sinqertë, mund të ndodhin shumë gjëra, do të shkojnë në disa drejtime. Mirëpo ne do ta nisim, dhe jemi të gatshëm”, ka thënë ai.
 
Prigozhin: 99% e “Vagnerit” janë larguar
 
Në ndërkohë, udhëheqësi i forcës mercenare ruse, Vagner, Jevgenij Prigozhin, ka thënë se gati të gjithë luftëtarët e tij janë larguar prej qytetit ukrainas të Bahmutit. Prigozhin ka thënë se, 99 për qind e njësiteve të tij tani janë jashtë Bahmutit. 
 
“Të gjitha pozicionet u janë dorëzuar njësiteve të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Gjithçka është sqaruar”, ka thënë Prigozhin.