Maqedoni
Ligji për arsim sipëror, në negociata do të kyçen edhe ekspertë ndërkombëtarë
23.02.2015 17:16
Për MASH-in dhe Qeverinë është tejet i rëndësishëm fakti që ka dialog konstruktiv mes të gjitha palëve të përfshira në negociatat që zhvillohen për Ligjin e Arsimit Sipëror...

Kështu vlerëson ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, sipas të cilit, është arritur marrëveshje që grupet punuese të numërojnë shtatë përfaqësues, të cilët do të përgatisin konceptin për përmbajtjen e tekstit të Ligjit për Arsim Sipëror.
Në pyetjen se a do të tërhiqet Ligji për Arsim Sipëror, kërkesë kjo e Plenumit të Studentëve dhe Profesorëve, Ademi dha përgjigje se ende është herët të flitet për këtë, sepse përmbajtja e konceptit do të bëhet e ditur pas bisedimeve që do të zhvillojnë grupet punuese.
Sipas tij, nga mesi i muajit prill do të organizohet konferencë,ku përveç ekspertëve vendas, do marrin pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë.
Ndërkohë, studentët edhe më tej nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për tërheqjen e Ligjit të Arsimit Sipëror dhe vazhdojnë me tempon e njëjtë, okupimin e fakulteteve deri në zgjidhjen e këtij problemi.
Ndërsa i pyetur për vonesën e pagave të arsimtarëve, Ademi thotë se MASH-i e ka kryer këtë obligim ligjor.
“Rrogat për të gjithë mësimdhënësit janë të lëshuara nga MASH-i, në fakt dotacionet janë të bartura deri te komunat dhe shpresoj që të kenë arritur deri te mësimdhënësit”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Këto komente ministri Ademi i bëri gjatë takimit me homologun e tij kroat, Vedran Mornar, me të cilin nënshkruan programin për bashkëpunim në fushën e shkencës, kulturës dhe arsimit për periudhën 2015-2018.
FLUTURA LATIFI
