Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Selmani: Veprimet e VMRO-së të papranueshme

03.06.2023 17:05

Qeveria javën në vijim do të shqyrtojë ndryshimet kushtetuese dhe më pas procedura t’i kalohet Kuvendit...

Qeveria javën në vijim do të shqyrtojë ndryshimet kushtetuese dhe më pas procedura t’i kalohet Kuvendit. Qëndrimet midis dy boshteve politike maqedonase duken të largëta nisur nga deklarata kundërshtuese e liderit të VMRO-së, Hristijan Mickoski, edhe përkundër takimit që pritet të ketë me kryeministrin Kovaçevski, javën që vjen. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se janë të papranueshme qëndrimet agresive të VMRO-së pasi janë të pabazuara në faktet juridike, ndërkaq në këto rrethana do të duhet të aktivizohet politikbërja shqiptare.

“VMRO me këto qëndrime, jo vetëm që i shkakton dëm vetë shtetit dhe politikës së saj, por nga ana tjetër, është edhe fajësia e vet politikës së shqiptarëve, të cilët në kontinuitet bëjnë lëshime antikombëtare dhe nga ana tjetër me lëshimet antikombëtare i mundësohet VMRO-së komoditet i kësaj natyre. Këto janë qëndrime nacionaliste, të pabazuara në argumente, të pabazuara në histori dhe nëse dikush ka të drejtë morale, politike dhe gjeografike për të bërë një proces dhe për të neglizhuar ndryshimet kushtetuese duhet të jenë shqiptarët.”, tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Selmani: Faktori ndërkombëtarë të bëj presion
 
Afatet ligjore sa vijnë e ngushtohen, duke i lënë Kuvendit hapësirë kohore prej katër muaj. Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka deklaruar se procedura parlamentare mund të nis paralelisht me dialogun politik kah mesi i këtij muaji. Por, nëse në votimin e parë nuk sigurohen 80 vota, atëherë procedura rrezikon të ndërpritet. Edhe eksperti juridik Selmani konsideron se procedura duhet nisur, ndërkohë sipas tij do të sigurohet edhe shumica e nevojshme për të votuar.
 
“Afati kohor nuk lejon manipulime dhe keqpërdorime për interesa politike, prandaj duhet detyrimisht të fillohet procedura. Jam shumw i bindur se edhe faktori ndërkombëtarë do të bëj presion ndaj VMRO–së për t’i përkrahur të gjitha këto ndryshime për arsye se janë në interesin edhe të shtetit edhe të popullit maqedonas, por edhe vetë Ballkanit me intereset dhe përplasjet që aktualisht janë në mes shteteve fqinje.”, tha Selmani.
 
Grupi i punës më 26 maj miratoi propozim iniciativën për ndryshimet kushtetuese. Në të thuhet që përpos bullgarëve në premabulën e kushtetutës do të përfshihen edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptas. Ndryshimi i preambulës së kushtetutës garanton nisjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në.
 
MERALE ISMAILI