Maqedoni
KE pezullon vizitën Junker-Gruevski
23.02.2015 17:40
Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Kllod Junker, anuloi takimin me kryeministrin, Nikolla Gruevski, që pritej të zhvillohej këtë të enjte në Bruksel...

Këtë e pohoi zëdhënësja e Junkerit, Mina Andreeva.
“Ishim në bisedime me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Komisioneri Han ishte në teren më 17 shkurt, jemi në kontakt me ata. E vetmja gjë që mund të them është se për shkak të zhvillimit të ngjarjeve në teren u vendos se nuk është e favorshme që të ketë takim tani”- është shprehur shkurt Andreeva.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, hiqet sikur nuk e di se një takim i tillë është dashur të mbahet në Bruksel.
Megjithatë, ai konfirmoi se takim mes Gruevskit dhe Junkerit nuk do të ketë të enjten në Bruksel.
"Jo nuk do të ketë takim të tillë, të paktën sipas njohurive që kam unë. Ne kemi komunikim të përditshëm dhe po këmbehen mendime dhe parashikime lidhur me këtë çështje, por komisari Han ishte këtu vetëm para disa ditësh. Mendoj se atë që e kemi si komunikim është e mjaftueshme në këtë drejtim dhe nuk mendoj se do të ndodhë diçka e tillë, të paktën sipas asaj që unë e di për momentin, që nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të ndodhë"- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Ndërkaq, LSDM-ja opozitare vlerëson se pezullimi i vizitës dëshmon se ndërkombëtarët po e izolojnë kryeministrin, Nikolla Gruevski.
“Nikolla Gruevski është politikisht i izoluar nga autoritetet ndërkombëtare. Porosia e fundit më e fuqishme erdhi nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili sot e pezulloi takimin me Nikolla Gruevskin, të caktuar për të enjten. Dhe këtu nuk ndihmon fshehja dhe reagimi i turpshëm i Nikolla Popovskit, i cili përpiqet të gënjejë për pezullimin skandaloz të takimit të parë të kryetarit të Komisionit Evropian me Gruevskin”- theksoi Petar Shilegov nga LSDM.
Burime nga Komisioni Evropian shpjegojnë më detajisht se kryetari Junker ka marrë këtë vendim për shkak të krizës politike dhe mungesës së dialogut në Maqedoni.
Qëllimi i takimit Junker dhe Gruevski ishte formal, që të dy të njoftohen, pasi nga emërimi i Junkerit në krye të Komisionit Evropian nuk kanë pasur ndonjë takim zyrtar.
SHPËTIM NUREDINI
