Maqedoni

Procesi i bashkëpunimit në EJL, nga 1 korriku, Maqedonia e merr kryesimin

04.06.2023 15:53

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të hënën do të marrë pjesë në takimin e ministrave...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të hënën do të marrë pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (PBEJL) i cili do të mbahet në Budva. Takimi mbahet më pak se një muaj para marrjes formale të kryesimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut, më 1 korrik.

Pas seancës plenare, së bashku me përfaqësuesit e Treshes Kryesuese – Greqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – Osmani do të mbajë konferencë për media, ndërsa në margjinat e takimit ministror do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e tij, nga vende anëtare të Iniciativës.
 
Procesi i Bashkëpunimit në Europën Juglindore është formuar në qershor të vitit 1996, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit. Iniciativa synon krijimin e një rajoni të bazuar në demokraci dhe prosperitet ekonomik, si dhe integrim të plotë të kësaj pjese të kontinentit në strukturat europiane dhe euroatlantike.