Botë
Rusia nuk respekton marrëveshjen e armëpushimit
23.02.2015 17:45
Edhe pse Ukraina dhe Rusia arritën marrëveshje për armëpushim, kjo marrëveshje nuk u respektua nga ana e Rusisë...

Së paku dy ushtarë ukrainas janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Zëdhënësi i Ushtrisë, Valentin Fedyçev, tha se forcat ukrainase janë granatuar 27 herë gjatë 24 orëve të fundit. Luftimet janë reduktuar në lindje të Ukrainës që nga marrja e Debaltseves nga separatistët.
Ushtria bëri të ditur se nuk do të fillojë me tërheqjen e armatimit të rëndë nga vija e frontit, ngase separatistët, të mbështetur nga Rusia, ende nuk i kanë ndalur tërësisht sulmet. Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, forcat qeveritare dhe rebelët do të duhej ta ndalnin zjarrin më 15 shkurt dhe të fillonin me tërheqjen e armatimit të rëndë jo më vonë se dy ditë.
Zëdhënësi i ushtrisë tha se Ukraina do ta tërheq armatimin atëherë kur “armiku të ndalojë së sulmuari pozicionet tona”.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
