Botë
Vijon protesta e serbëve në Veri, Kurti në mbrëmje pret Escobarin dhe Lajçakun
05.06.2023 12:00
Sot është dita e 11-të e protestave të serbëve në Veri, të cilët po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore....

Sot është dita e 11-të e protestave të serbëve në Veri, të cilët po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore.
Raportohet nga Zveçani se përveç banorëve dhe anëtarëve të Listës serbe, atje kanë dalë edhe nxënësit në protestë. Ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për fialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendës ndihmëssekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Vizita e tyre, do të ketë për qëllim të gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e tensionuar në veri, e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe me presidenten Vjosa Osmani. Takimi i tyre pritet të mbahet nesër në mëngjes. Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve. Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.
