Botë

Vazhdojnë protestat në Veri të Kosovës, Lista Serbe dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhje

05.06.2023 14:35

Pas protestave të dhunshme të serbëve në komunat veriore të Kosovës dit më parë...

Pas protestave të dhunshme të serbëve në komunat veriore të Kosovës dit më parë, ku mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra policë të Kosovës, në ditën e njëmbëdhjetë të protestave kanë ndryshuar taktikën duke nxjerrë fëmijët në protesta. Ata janë mbledhur para ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar punën e kryetarëve shqiptar të komunave.
 
Ndërkohë, Lista Serbe ka kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhjet që eventualisht do të mund të mbahen të parakohshme për komunat në veri. Ajo kërkon që forcat speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
 
Vetëvendosja: Njësiti special do të jetë kudo që ka nevojë
 
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila thotë se zgjedhjet në veri do të organizohen vetëm në mënyrë demokratike.
 
“Të gjitha këto që po i flasim kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me mbarëvajtjen institucionale në Kosovë. Policia, njësia speciale do të jetë aty apo mbetet në pozicionet qoftë në veri ose në jug kudo në Kosovë ku ka kërcënim të sigurisë, apo ku ka nevojë për prezencën e tyre.”, - deklaroi  koordinatorja e grupit parlamentar të VV, Mimoza Kusari Lila.
 
Escobar e Lajçak, vizita në Prishtinë dhe Beograd
 
Ndërkohë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve. Nga ana tjetër zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të organizojë takim Kurti-Vuçiq në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por siç thotë ai, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet. 
 
GYLTENE SINANI