Maqedoni
Babovski: Mos të përhapen gënjeshtra
05.06.2023 14:54
Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikolçe Babovski, konfirmoi përsëri se domatet dhe trangujt nuk përmbajnë metale të rënda...

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikolçe Babovski, konfirmoi përsëri se domatet dhe trangujt nuk përmbajnë metale të rënda të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Ai u referua testeve të kryera nga agjencia dhe deklaroi se rezultatet e tyre ishin negative. Babovski shtoi se nuk e kuptonte se për çfarë qëllimi po përhapet paniku në opinion dhe se përhapja e panikut dhe alarmit të rremë konsiderohet një vepër kriminale. Ndërkaq, ai theksoi se nëse Agjencia e Veterinarisë vendosë të bëjë ankesë për këtë situatë, do të informohemi për këtë në ditët e ardhshme. Babovski thotë se është e qartë që nuk ka pasur asnjë dyshim në cilësinë e produkteve ushqimore dhe thotë se pretendimet e VMRO-DPMNE-së opozitare janë të rreme.
“Të gjitha këto rezultate, të cilat i referohen specifikisht mbetjeve metalike ose pranisë së metaleve të rënda janë të gjitha rezultate negative. Nuk e di se cili ka qenë qëllimi për të përhapur panik te qytetarët me rezultate negative. Duket se dikush gjatë konferencave ka gënjyer dikë. Nëse shikoni rezultatet, do të shihni se dikush ka përzier mikro dhe miligram. Të gjitha janë brenda kufijve të sasive të lejuara dhe testet janë bërë në Laboratorin Shtetëror Fitosanitar dhe prej aty është konfirmuar dhe rezultatet janë publike, që janë negative.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikolçe Babovski.
Babovski shpjegoi se gjatë procesit të importit të produkteve ushqimore, kontrollet janë të përfshira për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e ushqimit. Në rastet kur konstatohen dyshime të rëndësishme, dërgesat vendosen nën vëzhgim nga autoritetet përkatëse. Reagimi i drejtorit Babovski erdhi pas raportit të fundit të analizave të bëra nga Laboratori Shtetëror Fitosanitar, sipas informacionit të ndarë nga Cvetan Tripunovski, përfaqësues i VMRO-DPMNE-së, i cili pretendoi se në domate dhe trangujt janë gjetur nivele të larta të plumbit, kadmiumit dhe arsenikut.
SEDAT SELIMI
