Maqedoni

Takimi i liderëve, të mërkurën takim Kovaçevski - Mickoski

05.06.2023 15:16

Në klubin e deputetëve të mërkurën do të mbahet takimi i paralajmëruar i kryeministrit Dimitar Kovaçevski...

Në klubin e deputetëve të mërkurën do të mbahet takimi i paralajmëruar i kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. Siç informojnë nga VMRO-DPMNE, takimi do të jetë kokë më kokë.  Nga VMRO DPMNE paraprakisht ftuan Kovaçevskin të vijë në takimin e liderëve, ku sipas partisë opozitare do të debatohet për atë se çka do të ndodh më tej, sepse nuk do të ketë  ndryshime kushtetuese. 
 
“Kovaçevski duhet të ketë përgjegjësi për politikat e gabuara dhe drejtimin e shtetit në kundërshtim me mendimin e 80% të maqedonasve. Kovaçevski duhet zgjedh nëse do të vazhdojë verbërisht të dëgjojë BDI-në apo të tregojë pak integritet dhe të vijë në takimin e Liderëve.  Është koha që Kovaçevski të zgjedhë Ahmetin dhe BDI-në apo Maqedoninë!?”, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
Por, kryeministri Kovaçevski tha se ia ka lënë partisë opozitare të zgjedhë formatin e takimit dhe ata kanë zgjedhur takimin kokë më kokë.
 
“Ata e zgjodhën formatin dhe takimi do të mbahet të mërkurën në ora 11. Njëra nga temat  është vendimmarrja për integrimin evropian të shtetit dhe e dyta janë aktivitetet e të gjithë aktorëve politikë në shtet në raport me marrëdhëniet me fqinjët. Këto janë dy tema jashtëzakonisht të rëndësishme nga të cilat varet integrimi i vendit dhe anëtarësimi sa më i shpejtë në BE.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Kovaçevski potencoi se mundësia për dështim të ndryshimeve kushtetuese nuk do të diktojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vend. Sipas tij, zgjedhjet do të jenë të rregullta, fillimisht do të ketë zgjedhje presidenciale, pastaj zgjedhje parlamentare, ndërsa theksoi se pret mbështetje nga të gjithë deputetët për ndryshimet kushtuese. Kovaçevski tha se pret një bisedë të hapur të mërkurën dhe shpreson se do të gjendet një gjuhë e përbashkët se si të vazhdohet drejt integrimit të vendit në BE, sepse sipas tij në të kundërtën vendit i kanoset izolimi. 
 
FLUTURA LATIFI