Maqedoni
Djegia e Spitalit Modular në Tetovë, dënim me kusht për dy të akuzuar, një i pafajshëm
05.06.2023 15:34
Dënime me kusht për dy të akuzuar dhe një i pafajshëm është epilogu i gjykimit për djegien e Spitalit Modular në Tetovë...

Dënime me kusht për dy të akuzuar dhe një i pafajshëm është epilogu i gjykimit për djegien e Spitalit Modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona me Covid 19 dhe familjarë të tyre. Një vit e gjashtë muaj dënim me kusht, nëse vepra nuk përsëritet 3 vitet e ardhshme është shqiptuar për ish-drejtorin e Spitalit të Tetovës, Florim Besimi dhe ish-drejtorin ekonomik të spitalit, Artan Etemi, ndërsa dr.Boban Vuçevski u lirua i pafajshëm. Sipas gjykatësit Jordan Velkovski, të akuzuarit për shkak të mosveprimit të tyre kanë shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe pacientëve të sëmurë me Covid 19.
"Të akuzuarit, nuk kanë instaluar mjetet e nevojshme për mbrojtjen nga zjarri dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pacientëve të sëmurë me Covid-19. Ata nuk kanë vepruar sipas masave dhe aktiviteteve të marrëveshjes së kredisë me Bankën Botërore. Edhe pse kanë qenë të obliguar që të kenë pajisje kundër zjarrit, nga dita e lëshimit në përdorim të Spitalit Modular, deri në momentin e rënies së zjarrit, nuk kanë pasur mjete adekuate për mbrojtjen nga zjarri.”, ka thënë gjyqtari në një pjesë të shpjegimit të aktgjykimit.
Pafajësinë e mjekut Boban Vuçevski e pritën me brohoritje një numër i qytetarëve para gjykatës.
“Falënderoj drejtësinë që vërtetoi se unë si mjek kam qenë me ju, ndërsa tani edhe më shumë do të jem me ju.”, - theksoi mjeku, Boban Vuçevski.
Për të akuzuarin, Florim Besimi,vendimi i gjykatës është i pakuptimtë. Vlerëson se është i pafajshëm. Paralajmëron ankesë në instancat më të larta gjyqësore.
“I pakuptimtë është vendimi i sotëm. Arsyeshmërinë e vendimit nuk e kam të qartë. Ju them me plot të drejtë se dëshmitë dhe faktet të cilat janë dorëzuar në gjykatë dhe të cilat i kemi parë e dëshmojnë pafajësinë time. Në asnjë moment unë nuk kam lidhshmëri me Spitalin Modular, as nuk e kam realizuar, nuk e kam mbikëqyrur dhe nuk e kam pranuar dhe kjo dëshmohet edhe me nënshkrimin e dokumenteve.”, - deklaroi i akuzuari, Florim Besimi.
Ish-drejtorët e spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, nuk janë ndjekur penalisht për shkakun e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Natën e 8 shtatorit 2021, dy mjekë, tre infermierë dhe një ndihmës mjek luftuan për jetën e pacientëve. Ish-drejtorët e Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, u akuzuan për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike.”, ndërsa mjeku Boban Vuçevski për “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
FLORIJE KAMBERI
