Maqedoni

U promovua projekti “Mirë se erdhe, bebe”, certifikata e lindjes në formë elektronike

05.06.2023 15:55

U promovua projekti “Mirë se erdhe, bebe” nëpërmjet të cilit mundësohet që certifikata e lindjes të merret në formë elektronike....

U promovua projekti “Mirë se erdhe, bebe”  nëpërmjet të cilit mundësohet që certifikata e lindjes të merret në formë elektronike. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti theksoi se certifikata elektronike u lehtëson prindërve procedurën për nxjerrjen e certifikatës së lindjes së fëmijëve të porsalindur, duke reduktuar pritjet nëpër sportele.
 
“Kjo risi lehtëson procedurat për lëshimin e  certifikatave të lindjes që  prindërit të mos shkojnë në sportelet e institucioneve, por në spitalet e maternitetit për të paraqitur një kërkesë për një certifikatë elektronike dhe për të marrë atë brenda pak ditësh në formë elektronike në adresat e tyre të postës elektronike.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu dhe drejtori i drejtorisë së librave amë, Emir Sulejmani theksuan se kjo mundëson që qytetarëve t’u ofrohet zgjidhje më e thjeshtësuar për kryerjen e obligimeve. 
 
“Kjo formë e transformimit digjital, përveç që redukton kohën dhe maltretimet që herë pas here na ndodhin nëpër sportele të ndryshme. Qëllimi tjetër është që të reduktojmë apo minimizojmë korrupsionet e mundshme që mund të ndodhin në dhënien e këtyre shërbimeve.”, - theksoi ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu.
 
“Bëhet fjalë për “E Shërbimin” për regjistrimin e fëmijëve të porsalindur, që në esencë do të lehtësojë maksimalisht këtë procedurë ku prindërit nuk do të kenë nevojë të paraqiten në zyrat e drejtorisë sonë, por këtë mund ta bëjnë në mënyre elektronike që pastaj në të njëjtën mënyrë të aplikojnë edhe për certifikatë të lindjes në formë elektronike.”, - theksoi drejtori gjeneral i Drejtorisë së librave amë, Emir Sulejmani.
 
I porsalinduri i parë që mori certifikatën elektronike të lindjes është Trimi i vogël, prindërit e të cilit aplikuan për certifikatë në formë elektronike.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI