Maqedoni

21 vjetori i themelimit të BDI-së, Ahmeti: Për tre-katër vite, RMV-ja pjesë e BE-së

05.06.2023 16:19

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti është optimist se për 3 deri në 4 vite Maqedonia e Veriut...

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti është optimist se për 3 deri në 4 vite Maqedonia e Veriut do te jete pjesë e BE-së. Kështu deklaroi kreu i integristëve me rastin e shënimit të 21 vjetorit të themelimit të BDI-së, duke theksuar nevojën për ndryshimet kushtetuese.   
 
“Në radhë të parë, ne duhet t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, duhet që t’i paraprijmë një pajtimi, në mes të gjitha subjekteve që kanë përgjegjësi mbi fatet e shtetit. A ka vullnet për një pajtim të tillë dhe për t’u bashkuar rreth një pakti? Stabiliteti politik në vendin tonë duhet të jetë një prioritet, ashtu siç kanë aplikuar shtete të cilat tani janë anëtare të BE-së dhe me përplasje dhe divergjenca po aq sa kemi ne sot. Unë mendoj se ne mund të arrijmë një pajtim të tillë, të vendosemi të gjithë përpara interesave të shtetit dhe ardhmërisë së brezave, sepse pikërisht janë momente vendimtare dhe historike për vendin tonë. Të lëmë anash interesat ditore politike, të mos vendosim prioritetin nëse do i fitojmë zgjedhjet e ardhshme, por të vendosim prioritetin nëse do të arrijmë që shërbimin më të madh t’u bëjmë qytetarëve tanë me anëtarësimin evropian.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Profesorët universitarë: Të bëhen ndryshimet kushtetuese
 
Edhe profesori universitar, Visar Ademi dhe analisti politik, Petar Arsovski janë të mendimit se ky destinacion mund te arrihet vetëm me realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Ata theksojnë edhe benefitet që mund të arrihen nëse vendi bëhet pjesë e familjes evropiane. 
 
“Nëse ngelim jashtë këtyre forumeve s’do të kemi atëherë as kapital njerëzor, s’do të kemi as të rinj, s’do të kemi as komb të cilin do të duhet ta mbrojmë. Ne mund ta mbrojmë vetëm nëse zhvillohemi, nëse krijojmë një sektor privat të konkurueshëm me ekonomi të zhvilluar dhe të krijojmë një kapital njerëzor të të rinjve, e cila do të fokusohet tek sipërmarësia në inovacionet.”, - theksoi profesori universitar, Visar Ademi. 
 
“Konstanti  i Bashkimit Evropian se këto ndryshime kushtetuese t’i bëjmë deri në fund të vitit, frikësohem se nuk na lënë shumë kohë as për një debat të lodhur empatik, që t’i përfshijmë të gjithë në një konsensus nacional se cili është drejtimi që duhet të ndjekim. Dhe më duhet ta them se nuk janë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut të interesuar  për anëtarësim të vendit në BE.”, - u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
 
Ish-ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekrinska tha se duhet të mirëkuptohen edhe ata që janë kundër ndryshimeve kushtetuese, sepse sipas saj ata qytetarë janë pro BE-së, por frikësohen se mos vallë do të ketë kërkesa tjera ndaj Maqedonisë së  Veriut. 
 
“Teza që s’ka alternativë tjetër, sipas meje nuk qëndron. Të gjithë mbështetësit e ndryshimeve kushtetuese duhet t’i kuptojnë edhe ata qytetarë që janë kundër. Kryesisht janë maqedonas, por ai numër nuk ështe për t’u nënçmuar. Një numer i madh i atyre që janë kundër ndryshimeve kushtetuese nuk janë kundër BE-së, por frikësohen se më pas do të ketë edhe kërkesa tjera.”, - deklaroi  ish-ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, me këtë rast foli edhe për të ashtuquajturit  “Grupi i zjarrit”, ku tha se nuk janë fraksion, por aksion.  
 
“Problemet zgjidhen brenda e jo jashtë partisë. Ato nuk janë fraksion, por janë aksion. Problemet zgjidhen brenda për brenda e jo jashtë. Ne nuk e kemi ndaluar asnjëherë mendimin ndryshe, por mbështesim ata që janë me shumicën.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Ahmeti njëherit theksoi gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha subjektet shqiptare dhe ato me orientim pro evropian. 
 
SANIJE DURAKU