Maqedoni

“Grupi i zjarrit” kritik ndaj përfaqësuesve të BDI-së në Qeveri

05.06.2023 16:44

Me një manifestim rasti të organizuar në Tetovë edhe “Grupi i zjarrit” që e llogaritë veten si fraksion...

Me një manifestim rasti të organizuar në Tetovë edhe “Grupi i zjarrit” që e llogaritë veten si fraksion, e shënoi 21 vjetorin e themelimit të BDI-së. Por, nga ky tubim nuk munguan kritikat për ekzekutivin përfshirë edhe përfaqësuesit e BDI-së në Qeveri. Musa Xhaferi nga ky grup theksoi se duhet të kërkohet përgjegjësi për lëshimet dhe devijimet nga pjesëtarët e BDI-së në ekzekutiv. 
 
“BDI është e  vendosur në një sfidë përplasjesh idesh dhe programesh, sfida është ne të “moderohemi”, të tjetërsohemi dhe të harrojmë të kaluarën tonë, apo të avancojmë dhe të forcojmë organizimin tonë politik për të realizuar programin dhe kërkesat e shqiptarëve, të cilët me aq durim dhe qëndresë demokratike po bëjmë përpjekje për t’u bërë pjesë e Evropës së bashkuar si komb me identitet gjuhësor dhe kombëtar. Ne nuk flasim gjuhën e 20%, ne flasim dhe shkruajmë gjuhën tonë më të lashtë të Evropës, gjuhën shqipe. Atëherë, si mos të reagojmë e protestojmë kur na thonë nga partia jonë që nuk është koha që gjuha jonë të emërtohet me dinjitet si gjuha shqipe.”, - deklaroi Musa Xhaferi nga “Grupi i Zjarrit”
 
Xhaferi njëherit theksoi se edhe sot kur shënojmë 21 vjetorin, organet e BDI-së vazhdojnë të mos funksionojnë sipas statutit, ndërsa jo statutare janë edhe zgjedhjet të cilat po organizohen në degët e BDI-së.
 
“Po paralajmërojmë se këto zgjedhje që do të organizohen në këtë mënyrë jo statutare, do të kundërshtohen për faktin se servilët e pushtetit nuk kanë legjitimitet të organizojnë organet partiake.”, - theksoi Musa Xhaferi nga “Grupi i zjarrit”.
 
Xhaferi njëherit kërkoi të ndërpritet ndjekja dhe përjashtimi i atyre që mendojnë ndryshe në BDI. 
 
VISAR SADIKI