Maqedoni

RMV-ja merr Presidencën me PBEJL-në, Osmani: Zgjidhja e kontesteve rajonale përmes dialogut

05.06.2023 17:09

Pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe përshpejtimi i integrimeve euro-atlantike...

Pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe përshpejtimi i integrimeve euro-atlantike janë tre shtyllat e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL) nga 1 korriku. Nën moton ”Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim”, ministri i Jashtëm Bujar Osmani bën thirrje që përmes këtyre kushteve paqësore, rajoni të gjejë stabilitet dhe prosperitet. Nga Budva prej ku Osmani merr kryesimin e iniciativës prej Malit të Zi, zotohet se platforma  e zgjedhur do të jetë në dobi për tërë rajonin.
 
“Kërcënimi më i madh  për të gjithë ne në rajon janë akoma kontestet e hapura dypalëshe dhe bllokadat politike, të cilat e pengojnë progresin e integrimit evropian edhe në bashkëpunimin bilateral edhe në atë rajonal, të cilat lehtësisht mund të shfrytëzohen nga aktorët e jashtëm. Duhet t’u ikim këtyre tentativave me çfarëdo lloj mjetesh dhe të jemi transparent për mundësitë që i jep dialogu, pajtimi, tejkalimi i trashëgimisë së të kaluarës dhe të kërkojmë zgjidhjen e kontesteve me mirëkuptim, respekt dhe vendim të pranuar të përbashkët.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Mariçiq për eurointegrimin: Ne vepruam, BE-ja e ka radhën
 
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në këtë takim kërkoi nga BE-ja të veprojë konkretisht ndaj vendeve aspirante.
 
“Tash është koha që eurointegrimi të merr hov të madh. Ka ardhur koha për planin serioz për zgjerim nga ana e BE-së, plan konkret me të cilin BE-ja do të tregojë se jo vetëm me fjalë, por edhe me vepër është e fokusuar në integrimin e rajonit. Ne i kemi bërë reformat dhe vendimet e vështira, pra BE-ja të reflektojë integrim në kohë të duhur.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq. 
 
Pjesëmarrësit në këtë takim kanë mirëpritur planin e ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor të shpalosur nga kryetarja e KE-së, Von Der Leyen, të cilën e llogarisin përgjigje ndaj kërkesave të  vendeve të rajonit për integrim.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU