Basketboll
Golden State ndalet nga Indiana
23.02.2015 17:52
Kryesuesit e konferencës së Perëndimit u thyen në Indianapolis nga Pacers me rezultatin 104-98...
Indiana Pacers ndal serinë prej 4 fitoresh radhazi të Golden State Warriors në Nba. Kryesuesit e konferencës së Perëndimit u thyen në Indianapolis nga Pacers me rezultatin 104-98 duke pësuar humbjen e 10-sezonale. Mbrëmje magjike në Bankers Life Fieldhouse për Klay Thompson.
Ylli i Warriors realizoi në total plot 39 pikë por as paraqitja e tij fantastike nuk i mjaftoi skuadrës mike për të arritur fitoren e 5-të radhazi. Falë 30 pikëve të shënuara nga Rodney Stuckey dhe mbi të gjitha falë rikuperimit të plotë 12 pikëve disavantazh Indiana ja doli të regjistronte suksesin e 3-të radhazi në Nba. Sfida nisi nën shenjën e Klay Thompson.
25-vjecari kalifornian realizoi 15 nga 39 pikët e tij gjithsej vetëm në periodën e parë duke bërë që kjo pjesë loje të mbyllej me avantazhin e Golden State 38-26. Statistikat thonë shumë në Nba dhe fakti që skuadra nga Oakland kishte humbur 11 nga 13 transfertat e fundit në Indianapolis ndikoi shumë edhe në këtë sfidë.
Warriors nuk arritën të menaxhonin avantazhin e krijuar në periodën e parë dhe falë dhe një rezultati të pjesshëm 14-2 në favor Indiana përmbysi gjithcka dhe në pushim tabela elektronike tregonte shifrat 58-57 për skuadrën e drejtuar nga trajneri Frank Vogel.
Në vazhdim loja ishte në baraspeshë totale deri sa 5 minuta përpara fundit të periodës së tretë Klay Thompson realizoi një trepikësh për ti dhënë miqëve avantazhin 68-65. Gjithsesi reagimi i Pacers ishte i menjëhershëm dhe falë disa pikëve radhazi të realizuara nga Stuckey, 12-minutëshi i tretë përfundoi me shifrat 81-78 në favor të Indianës.
Edhe perioda e 4-t rezultoi shumë e luftuar por pavarsisht përpjekjeve të treshes Thompson-Igoudala-Barbosa te Golden State u ndje mungesa e Stephen Curry për arsye dëmtimi dhe sfida e Bankers Life Fieldhouse përfundoi me fitoren e ekipit vendas në shifrat 104-98. Në sfidat e tjera të Nba spikat suksesi i 6-të radhazi i Oklahoma City Thunder. Rusell Westbrook nuk di të ndalet.
Këtë herë Mvp-ja i All Star Game koleksionoi 21 pikë 17 asiste dhe 8 rebound duke udhëhequr Oklahoman në fitoren 119-94 ndaj Denver Nuggets.
Sfida mes dy skuadrave më të titulluara në Nba ajo ndërmjet Los Angeles Lakers dhe Boston Celtics e zhvilluar në Staples Center përfundoi me fitoren e kalifornianëve pas kohës shtesë 118-111. Jeremy Lin realizoi 25 pikë ndërsa Wesley Johnson shtoi 22 të tjera në suksesin e parë të Lakers-ave pas 7 humbjeve radhazi.