Futboll

Silvinjo: E kemi detyrim të fitojmë këto dy ndeshje

06.06.2023 11:45

Kombëtarja shqiptare ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese...

Kombëtarja shqiptare ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
 
Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij kanë punuar edhe sot me përbërje jo të plotë të kombëtares në fushën e Shtëpisë së Futbollit me një pjesë të lojtarëve, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët pasi kanë përfunduar ndërkohë impenjimet me klubet e tyre. Për trajnerin Silvinho, nuk ka rëndësi se cilën kombëtare e keni përballe dhe gjithmonë duhet të jesh në nivelin e detyrës.
 
“Për të arritur kualifikimin ne kemi përpara shtatë ndeshje. Nuk ka rëndësi nëse është Moldavia apo Çekia. Ne duhet të jemi gjithmonë në 1005 në kapacitetin tonë. Jam i bindur se edhe ata mendojnë se Shqipëria nuk është një skuadër e vogël. Mund të ketë momente që kundërshtari të tërhiqet dhe të mbrohet fort, por ne duhet të sulmojmë shumë.Mund të shënosh tre gola dhe më pas pëson katër, prandaj na duhet ekuilibri. Me Moldavinë kemi disa shanse për të fituar dhe e kemi detyrim të fitojmë këto dy ndeshje. Kemi dhe disa ndeshje të tjera që duhet me doemos të marrim pikë. Për këtë arsye ne duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje. Lojtarët që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin”, u shpreh trajneri i Shqipërisë, Silvinjo.
 
Futbollisti Anis Mehmeti, që debutoi në ndeshjen me Poloninë ka mbërritur në Shqipëri dhe është gati të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës të kualifikueseve ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, rrëfen emocionet që ka përjetuar dhe shprehet i kënaqur për ecurinë e sezonit.
 
“Ne kemi dy ndeshje. Një brenda këtu në shpi, një jashtë. Duhet të shkojmë me qëllim për të fituar të dy ndeshjet. Do të luajmë me shumë dëshirë dhe agresivitet. Për të fituar të dyja ndeshjet. Tani debutimin e vërtetë e kam përballë tifozëve “kuqezi””, theksoi futbollisti i Shqipërisë, Anis Mehmeti.
 
Në ditët në vazhdim pritet që të gjithë lojtarët e listës me 26 emra të bashkohen me skuadrën, ndërkohë që intensiteti i stërvitjes do të vijë gradualisht në rritje. Shqipëria do të presë Moldavinë më 17 qershor në stadiumi “AirAlbania”, ndërsa tre ditë më vonë, më 20 qershor, kuqezinjtë do të luajë në transfertë ndaj Ishujve Faroe.