Futboll

Çudia në Kosovë, arbitri gjykon dy finale brenda 24 orëve

06.06.2023 12:08

Arbitri i FIFA-s në Kosovë, Visar Kastrati ka vendosur një rekord, duke gjykuar dy ndeshje...

Arbitri i FIFA-s në Kosovë, Visar Kastrati ka vendosur një rekord, duke gjykuar dy ndeshje në harkun 24 orëve. Dhe jo ndeshje dosido, por dy finale në kuptimin e plotë të fjalës.Kastrati 36-vjeçar zbriti në fushë në sfidën e PlayOut-it mes Ferizajt dhe Lirisë, e cila startoi të dielën në orën 15:00 dhe u vendos nga penalltitë, pasi 120 minuta futboll në fushë nuk prodhuan as gol e as fitues.
 
Liria e Prizrenit siguroi rikthimin në elitën e futbollit kosovar, duke zbritur në Kategorinë e Parë skuadrën e Ferizajt në një sfidë që përfundoi rreth orës 18:00 të së dielës.Vetëm 24 orë më vonë, Visar Kastratit iu desh të vendoste drejtësi në një tjetër finale, atë të Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Gjilanit, që u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 2-1.
 
Plot 2 ndeshje në 24 orë për Kastratin, që mban stemën e FIFA-s prej 2020-ës dhe ka gjykuar deri në fazën eliminatore të ConferenceLeague-s.Nuk dihet ende arsyeja e këtij vendimi, teksa vlen të theksohet se Kosova ka edhe 4 arbitra të tjera që mbajnë stemën e FIFA-s.
 
Natyrisht është një zgjedhje e çuditshme, pasi në nivelet profesioniste duket e pamundur të mendohet angazhimi i të njëjtit arbitër në dy ndeshje radhazi brenda 24 orëve dhe për më tepër në dy finale.