Maqedoni

Strugë, dhurohet gjak për personat në nevojë

06.06.2023 14:01

Shoqata “Bamirësit strugan” së bashku me “Kryqin e kuq” në Strugë organizuan aksion...

Shoqata “Bamirësit strugan” së bashku me “Kryqin e kuq” në Strugë organizuan aksion për dhurimin e gjakut. Qëllimi i këtij aksioni është ngritja e vetëdijes për rëndësinë që ka dhurimi i gjakut. Ndërsa, nga “Kryqi i kuq” thonë se aksione të tilla i mbështesin gjithmonë kur bëhet fjalë për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. 
 
“Kjo është hera e parë që ne si shoqatë humanitare marrim aksion për dhurimin e gjakut, por në fakt nuk është vetëm aksion që të dhurosh gjak, por qëllimi ynë sekondar është edhe ngritja e vetëdijes tek njerëzit për dhurimin e gjakut, për shkak se të dhurosh gjak është të shpëtosh jetë. Ne si shoqatë humanitare kemi pas aksione të ndryshme, me qëllim që t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë.”, - deklaroi Shefkije Alasani nga Shoqata “Bamirësit strugan”.
 
“Jam shumë i lumtur sot që te shoqata jonë ka aq shumë përgjigje nga lajmërimi që e nxorëm në rrjetet sociale dhe ka shumë të interesuar, është shumë aksion me sukses, jam i lumtur për këtë gjë.”, - theksoi Armend Roçi nga Shoqata “Bamirësit strugan”.
 
“Kësaj radhe në këtë aktivitet na është bashkangjitur edhe Shoqata “Bamirësit strugan”, të cilët patën iniciativë ta mbulojnë dhe me aktivistët e tyre të bëhen pjesë e dhurimit të gjakut dhe siç e shihni ka interes dhe kjo le të bëhet motiv për të gjithë ata që kanë potencial, janë të shëndetshëm, sepse e dimë që dhurimi i gjakut shpëton jetë dhe ndihmon njerëzit në momentet e tyre të vështira.”, - u shpreh Adhurime Dauti nga “Kryqi i kuq”. 
 
Aksionit iu bashkëngjitën shumë qytetarë dhe aktivistë të shoqatës të cilët nuk ngurruan të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë. 
 
“Këtë lajmin për dhurimin e gjakut e pash në rrjete sociale dhe thash pse jo, të bëj bamirësi dhe të dhuroj gjak.”, - u shpreh nxënësja e mjekësisë, Ilajda Osmani. 
 
“Bëj apel që gjithë ata që munden të japin gjak, është mirë si për shëndetin tonë edhe për ata që kanë nevojë. Një person që jep gjak mund të shpëtojë 3 jetë njerëzish.”, - theksoi dhuruesi i gjakut, Shkëlzen Ajrullai. 
 
Shoqata “Bamirësit strugan” ka më shumë se tre vite që janë aktiv dhe u kanë dalë në ndihmë shumë njerëzve në nevojë në Strugë, rrethinë dhe më gjerë.
 
ILMIE ZHAKU