Anëtarësimi në BE, Mariçiq: Pa ndryshimet kushtetuese humbin shansin

06.06.2023 16:01

Parashikimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti....

Parashikimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, se për 2 deri në 3 vite vendi do të jetë pjesë e BE-së, për zëvendëskryeministrin Bojan Mariçiq nuk është i paarritshëm. Ai vlerëson se më punë të ndërsjellë midis  Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, shpejt mund të shkohet drejt anëtarësimit. 

Mariçiq thotë se pa ndryshimet kushtetuese do të humbasim shansin, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi nga opozita në prag të procesit të ardhshëm.

“Gjëja më e rëndësishme është që opozita të kuptojë përgjegjësinë e saj në marrjen e këtyre vendimeve. Ata e humbën atë shans për NATO-n, për Marrëveshjen e Prespës, ja një mundësi që të mos e humbasin edhe këtë herë, pasi këtë herë teksti dhe përmbajtja e amendamenteve janë shumë më të lehta dhe shkaktojnë më pak probleme në krahasim me atë që ishte më parë.", - deklaroi zëvendëskryeministri për integrime evropiane, Bojan Mariçiq.

Për Institutin “Prespa” parashikimet e Ahmetit janë më pak reale, por vlerësojnë se procesi patjetër të ketë kontinuitet.

“Nuk mund të komentoj një deklaratë të tillë. Në pjesën e dytë të nëntorit mora pjesë në raundin e fundit për marrëveshjen për stabilizim dhe asocim dhe 23 vite më vonë edhe përkundër të gjitha shpresave që do të jem shtetas i BE-së dhe do të punoj në shtet anëtarë në BE, ajo nuk ndodhi.”, - theksoi Andreja Stojkovski nga Instituti  “Prespa”.

Në forumin bilateral “Think-Tank”, organizata nga vendi dhe Spanja u shkëmbyen informacione dhe qëndrime në fusha të shumta. Sipas kompetentëve kjo është një formë e mirë e përafrimit.

“Është një format i ri i përafrimit të të dy shoqërive, sepse në procesin paraqasës në BE, nuk negocion vetëm shteti, funksionarët dhe institucionet, por  praktikisht e gjithë shoqëria.”, - u shpreh sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Filip Tosevski.

“Do të jetë shumë me rëndësi, do të ndikojë në raportet tona bilaterale, sidomos pas vizitës në prill të ministrit Alvares dhe një viti më parë e kryeministrit, Sançez. Është interes i përbashkët i të dyja shteteve.”, - deklaroi ambasadori i Spanjës në Maqedoni, Jose Luis Lozano Garcia.

Forumi bilateral i organizatave “Think-Tank” nga Maqedonia dhe Spanja u organizua nga Instituti “Prespa”. (Sanije Duraku, TVM2)