Shkarkimi i drejtorit të kardiokirurgjisë, Mexhiti: Do ta shkarkoj secilin që keqpërdorë punën

06.06.2023 16:28

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti...

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti mohon se pas shkarkimit të drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Sashko Jovev, qëndron politika.  Para mediave, ai tha se  do të shkarkohet kushdo që keqpërdorë vendin e punës, pasi që të ketë indicje nga inspektorati sanitar dhe shëndetësor.

“Gjithkush kush do të gabojë, të keqpërdorë, keqmenaxhojë do të jetë i shkarkuar nga ana ime. Kemi një tajming, një agjendë që punojmë dhe normal ka inspeksione.  Këtë e kam thënë ditën e parë si ministër. Në të gjitha institucionet ku do të shohim parregullësi, kur do t’i bëjmë kontrollet e duhura, aty do të vendosim për momentin. Nuk do të ketë drejtorë të përhershëm, po as ministër të përhershëm.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Jovev: Shkarkimi im i ngjan hakmarrjes politike

Drejtori i sapo shkarkuar, Jovev, pohon se nuk ka hakmarrje direkte politike ndaj tij, por  një akt i  tillë, sipas tij i ngjan  revanshizmit. Pikënisja e shkarkimit mund të ketë filluar nga ndonjë keqkuptim, thotë ai, por nuk ka asnjë bazë. Ndërkohë, avokati i tij paralajmëroi  proces gjyqësor për rastin.

“Kam presione se kam bërë gabim, se gabimi është në vet protokollin gjatë një eventi të mrekullueshëm që e kemi mbajtur javën e kaluar, kur hapën sallën e re hibride. Vlerësoj se nuk jam viktimë e një revanshi politik, mirëpo kjo po shkon në atë drejtim. Në shtetin tonë vetëm suksesi nuk falet! Çfarë mesazhi do t’ju japim gjeneratave të reja? Njëherë në këtë shtet tonin të vuajtur ta lëmë politikën anash dhe t’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre.”, - theksoi kardiokirurgu, Sashko Jovev.

Në përkrahje dhe mbështetje të kardiokirurgut të shkarkuar, Jovev, dolën kolegët e tij, të punësuar shëndetësor dhe qytetarë të tjerë, mes tyre edhe disa pacientë të operuar nga ai.

Nuk mund të gjendet kirurg si ai. Nëse shkon ai, ne do të mbetemi pa gjë.”, - tha një protestuese.

“Sinqerisht jam e befasuar me situatën. Jetën do e jepja për profesor Jovevin, sepse ai ma shpëtoi jetën.”, - u shpreh një protestuese tjetër.

Më tepër detaje për shkarkimin e Jovevit do të japin shërbimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq drejtuesi i këtij dikasteri bën me dije se nuk  do të lejojë më që resori të cilin e drejton ai, të zhytet edhe më keq për shkak të parregullsive dhe mungesës së rezultateve. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)