Maqedoni
Takimi Kovaçevski – Mickoski, diskutojnë për ndryshimet kushtetuese
07.06.2023 12:32
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, në klubin e deputetëve po mbajnë takim kokë më kokë. Në takim po diskutohet para se gjithash për vendimet që duhet të merren në Kuvend për vazhdimin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Para takimit, qëndrimet e dy palëve ishin diametralisht të kundërta. Nga LSDM pretendojnë se nuk duhet humbur shansi për rrugën evropiane dhe kërkojnë që integrimi të zgjidhet në vend të izolimit. Ndërsa, nga VMRO-DPMNE bënë thirrje për një pakt për bashkim kombëtar dhe shtetëror.
“Nuk duhet të ketë ndryshime kushtetuese nën diktim. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese kur sulmohet identiteti kombëtar i popullit maqedonas dhe kontestohet gjuha, historia dhe kultura nuk është një hap para. Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, në emër të shumicës dërmuese të qytetarëve, kërkon një shans të drejtë, siç e kanë vendet e tjera kur hyjnë në BE. Le të ofrojmë të gjithë alternativën tonë se si do të përshpejtohet integrimi evropian qoftë përmes një politike të jashtme që lejon lëshime nga ana e një blloku apo përmes një politike të jashtme që garanton siguri të bazuar në parime, përgjigjen më të mirë për këtë do ta japin qytetarët për ato dy alternativa përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pra, kjo është rruga e dukshme për të dalë nga kjo krizë dhe ngërçi i krijuar nga Qeveria aktuale e BDI-së e përkrahur nga LSDM-ja.”, - deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE–së, Timço Mucunski.
