Maqedoni

Takimi Kovaçevski-Mickoski, BDI: Mbështesim Qeveri pa BDI-në

07.06.2023 15:20

Bashkimi Demokratik për Integrim është i gatshëm të mbështesë një Qeveri pa BDI deri në zgjedhje...

Bashkimi Demokratik për Integrim është i gatshëm të mbështesë një Qeveri pa BDI-në deri në zgjedhje, nëse opozita maqedonase i përkrahë ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. Kështu është shprehur zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani përmes statusit në FB, pas deklarimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, se partia e tij është e gatshme të bëhet pjesë e Qeverisë me LSDM-në dhe partitë tjera, por pa BDI-në.
 
“BDI është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI-në deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrahë ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj Qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para!”, ka shkruar Osmani.
 
Taravari: Shqiptarët duhet të jenë pjesë e takimeve
 
Duke komentuar takimin e liderëve politik maqedonas Kovaçevski dhe Mickoski, kryetari i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, vlerëson se çdo komunikim për gjetjen e zgjidhjes është i mirë, megjithatë shprehë keqardhje që shqiptarët janë anashkaluar nga këto takime.
 
“Besoj dhe shpresoj që të ketë takim bashkë edhe të liderëve maqedonas edhe atyre shqiptarë. Për vendime të tilla të rëndësishme duhet konsensus më i gjerë shoqëror, por edhe politik, partiak. Në këtë momente besoj se deri në fund të muajit qershor do të arrijmë një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik, t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese. Përndryshe, si parti politike jemi të gatshëm për gjithçka, në çdo moment.”, - deklaroi kryetari i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari.
 
Nga Alternativa e Afrim Gashit e quajnë manovër të panevojshme debatin për Qeveri gjithëpërfshirëse mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. 
 
“Për ne edhe nuk është tema më e rëndësishme se cila qeveri i bën ndryshimet kushtetuese, porse ato duhet të bëhen sa më shpejt, sepse këtë e presin qytetarët prej nesh.”, thonë nga Alternativa.
 
Nga partia politike, e Majta, akuzojnë se bashkëngjitja e VMRO-DPMNE-së në Qeveri, do të sjellë krizë demokratike. Qeverinë aktuale e quajti jolegjitime.
 
“Shkojmë deri te një krizë e keqe demokratike pasi që do të theksojë se me hyrjen e VMRO-DPMNE-së në Qeveri vetëm e Majta do të mbetet si parti e cila nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë nga shumica parlamentare. Ky është një alarm i fortë për demokracinë tonë.”, - theksoi Amar Micinoviq nga e Majta.
 
Nga Lëvizja “Besa” thonë se nuk mund të prononcohen për mundësinë e një Qeverie gjithëpërfshirëse që do të votonte ndryshimet kushtetuese, pasi në takimin Mickoski-Kovaçevski nuk u ftua asnjë lider shqiptar. 
 
FLORIJE KAMBERI