Maqedoni

ASh, raport për 100 ditshin e përfshirjes në Qeveri

07.06.2023 15:31

Lideri i ASh-së, Arben Taravari, e vlerëson si të suksesshme punën e zyrtarëve të kësaj partie në Qeveri në 100 ditshin e parë...

Lideri i ASh-së, Arben Taravari, e vlerëson si të suksesshme punën e zyrtarëve të kësaj partie në Qeveri në 100 ditshin e parë. Sipas kryetarit të ASh-së, një pjesë e madhe e premtimeve janë plotësuar duke qenë në opozitë, e disa edhe tani në Qeveri. Kryetari i ASh-së, po ashtu përmendi se brenda funksionalizimit të Qeverisë ka shumë pengesa, si në marrëdhëniet në mes partnerëve të koalicionit, ashtu edhe koha e shkurtër e futjes së kësaj partie në Qeveri. 
 
“Unë mendoj se një përqindje të madhe të programit tonë 2020 e kemi realizuar duke qenë në opozitë tre vite dhe duke qenë vetëm 100 ditë në Qeveri. Besoj se deri në fund të mandatit do të realizohen edhe shumë gjëra për të cilat fola se kanë filluar, por ende s’kanë përfunduar. Për raportin brenda Qeverisë nuk mund të them se janë perfekte, por mund të them se tash për tash janë korrekte. 100 ditë më parë, vendi ishte i paralizuar ku kishim kriza globale, ekonomike dhe energjetike. Kishim kriza vendore të ndryshimeve kushtetuese, por sot RMV-ja është një vend shumë më i mirë se para 100 ditëve.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari. 
 
Taravari theksoi sidomos arritjet në Ministrinë e Drejtësisë, ku është formuar Komisioni për ndryshimet në Kodin zgjedhor, digjitalizimi i lëndëve gjyqësore, ndërsa në shëndetësi i veçoi modernizimin e klinikave. Kurse, arritje shumë të mëdha, sipas tij ka edhe në armatë ku janë punësuar 45 shqiptarë dhe 21 të tjerë janë avancuar. Në bujqësi, sipas tij janë paguar 60 milion euro për 78 mijë fermerë vetëm për dy muaj. 
 
“Shtylla e parë  e veprimit tonë është shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit, kemi filluar procesin e digjitalizimit në gjyqësor dhe prokurori. Shtylla e dytë e veprimit tonë është shteti për të gjithë, kemi punuar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kemi siguruar që përfaqësia kombëtare tashmë të figurojë në certifikatat. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë kemi përmirësuar dukshëm pozitën e shqiptarëve. Në Ministrinë e Bujqësisë e kemi buxhetin më të madh deri më tani, vetëm për dy muaj janë paguar mbi 60 milion euro për 78 mijë fermerë. Provimi për administratorë nuk do të jetë vetëm në gjuhën maqedonase, por edhe në gjuhën shqipe. Shtylla e tretë e veprimit tonë është era digjitale dhe e njëjta do të bëjë shtimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe administratën.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Taravari, po ashtu në fund bëri thirrje të gjithë partive politike që të kenë kujdes në këtë kohë, kur vendi është në udhëkryq, sepse RMV-ja lehtë mund të rrëshqasë dhe të devijojë nga rruga e BE-së dhe të futet në erën e ndikimit rus. 
 
FITIM KRYEZIU