Kuvend, mirëpritet grupi i miqësisë nga Kosova

07.06.2023 16:11

Marrëdhëniet mes dy vendeve...

Marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimi në planin parlamentar, si dhe ndërveprimi në interesin e përbashkët drejt aspiratave euro-integruese, ka qenë temë e takimit mes grupit të deputetëve të miqësisë nga Kosova me deputetët vendor.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, udhëheqës i grupit të miqësisë nga Kuvendi i RMV-së, me këtë rast ka thënë se thellimi i bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë, por  edhe të rajonit në përgjithësi.

Kryetarja e grupit kosovar, Ganimete Musliu, është shprehur optimiste për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. 

Delegacioni  nga Kosova është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për punë të jashtme, Antonio Milloshovski, ku ky i fundit duke  uruar Kosovën për liberalizimin e vizave, ka vënë theksin  në përkushtimin e bashkëpunimit rajonal drejt sfidave të përbashkëta të së ardhmes, pa harruar edhe bashkëpunim në fushën e ekonomisë, si parakusht për t’i dhënë perspektivë rinisë në vendet e tyre.

Deputetja nga Kosova, Musliu, ka kërkuar që takimet mos ta kenë formatin e protokollit, por të krijohen ide  për thellim të bashkëpunimit.

Deputetja  kosovare, Vlora  Dumoshi, e ka cilësuar të mirëseardhur  në Kosovë  përvojën e RMV-së  lidhur me  procesin eurointegrues dhe politikën ndërkombëtare.

Në takim me Komisionin për çështje evropiane, kryetari i këtij trupi, Arbër Ademi, ka thënë se Maqedonia e Veriut  ka qëndrim afirmativ për qasjen ndaj Kosovës drejt iniciativave rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa ka nënvizuar intensifikimin e bashkëpunimit me Kosovën, sidomos në sferën e integrimit.

Delegacioni kosovar ka pranuar ftesën e kryetares së klubit të deputetëve,  Lolita Ristova,  për të marrë pjesë në konferencë rajonale që do të mbahet më 22 dhe 24 qershor në vendin tonë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)