Kovaçevski: VMRO nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese
Konkluzion i përbashkët i takimit mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski...

Konkluzion i përbashkët i takimit mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të VMRO-DPMNE-së, Hrsitian Mickoski është se partia opozitare maqedonase nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese.
Kështu deklaroi pas takimit kryeministri, Dimitat Kovaçevski, duke vlerësuar se ky është një vendim i mirë për shtetin dhe shoqërinë që u takon ta marrin të gjitha partitë politike. Kovaçevski i ka propozuar Mickoskit të votojnë amendamentet kushtetuese dhe pas përfundimit të procesit për ndryshimin e Kushtetutës menjëherë të shkohet në zgjedhje parlamentare.
“Propozova që bashkërisht me dy të tretat të votojmë nevojën për ndryshime kushtetuese dhe të nesërmen VMRO të hyjë në Qeveri. LSDM të lirojë gjysmën e vendeve në Qeveri për përfaqësuesit e VMRO- DPMNE-së. Kështu do të sigurojmë një Qeveri bashkuese. Ajo Qeveri, në të cilën do të jenë të gjitha partitë politike që janë pro integrimit evropian, do të zbatojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, ajo Qeveri do të përfundojë procesin e shqyrtimit dhe do të hapë kapitujt e negociatave me BE-në, ndërsa mund të mbyllim një ose dy nga kapitujt e klasterit të parë. E njëjta Qeveri më pas të organizojë zgjedhjet e ardhshme.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski, gjithashtu ka propozuar që ndryshimet kushtetuese që do të miratohen në dispozitat e tyre përfundimtare të kenë një dispozitë që do të jetë e vlefshme që nga momenti i konferencës së dytë ndërqeveritare. Ndërsa, shtoi se gjithçka tjetër është jashtë kornizës negociuese.
Mickoski: Të gatshëm të bëhemi pjesë e Qeverisë pa BDI-në
Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se qëndrimi i tyre është i njëjtë, ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar nuk mund të ketë.
Sa i përket ofertës që të bëhen pjesë e Qeverisë, Mickoski tha se janë të gatshme të hyjë në Qeveri me LSDM-në dhe partitë tjera politike, por pa pjesëmarrjen e BDI-së në të.
“VMRO-DPMNE është e gatshme të hyjë në Qeveri me LSDM-në dhe partitë tjera politike, por pa pjesëmarrjen e Bashkimit Demokratik për Integrim në atë Qeveri. VMRO-DPMNE është e gatshme të marrë pjesë në të, por me atë që zgjedhjet parlamentare t’i përgatisë Qeveria teknike 100 ditë para mbajtjes së atyre zgjedhjeve, e jo Qeveria aktuale. Dhe, ndryshimet e mundshme kushtetuese duhet të vlejnë ditën kur do të fillojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në BE nga parlamentet e 27 vendeve anëtare.”, - theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në fund Mickoski vlerësoi se takimi ka treguar qartë se në këtë moment nuk ka shumicë prej dy të tretash në Kuvend dhe se duhet të ketë një relaksim sa më të shpejt në shoqëri dhe e vetmja zgjidhje për këtë është që sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet parlamentare. (Sanije Duraku, TVM2)
