Maqedoni

Rasti “Besa Trans”, vazhdon procesi gjyqësor

07.06.2023 18:19

Vazhdon procesi gjyqësor për aksidentin me pasoja fatale të autobusit të “Besa Trans”....

Vazhdon procesi gjyqësor për aksidentin me pasoja fatale të autobusit të “Besa Trans”. Prokurori Vlladimir Milloshevski, prezantoi video regjistrimet nga kamerat e sigurisë së pikës kufitare “Deve Bair” për daljen dhe hyrjen e autobusëve të kësaj kompanie. 
 
“Në video mund të shihni se më 18 nëntor të vitit 2021, në ora 21:51:10 sekonda, autobusi me targa SK0284BA [autobusi i aksidentuar] ka dalë nga Maqedonia e Veriut nëpërmjet pikës kufitare “Deve Bair” dhe ka hyrë në Bullgari për të vazhduar më pas në Turqi]. Në video, shihet se autobusi, është ndaluar në terminal dhe më pas është larguar.”, tha prokurori Milloshevski gjatë prezantimit të video-materialit. 
 
Prokurori prezantoi disa video-materiale, ku më 23 nëntor të vitit 2021, në pikën kufitare “Deve Bair” rreth orës 04:00 shihen duke hyrë në RMV nga Bullgaria, autobusët e “Besa Trans”, përveç atij me targa SK0284BA, i cili është aksidentuar, rreth dy orë më parë. Avokati i mbrojtjes, Alispahiq, reagoi duke theksuar se nuk ka nevojë që të tregohen këto video-materiale, pasi që periudha e përmendur nuk është e përfshirë në aktakuzë.
 
“Ky prezantim nuk ka të bëjë me akuzën, pra kjo nuk është përfshirë në akuzë.”, - tha Alispahiq.
 
Nga ana tjetër, mbrojtja propozoi një listë me emra të dëshmitarëve, të cilët duhet të dëshmojnë në seancat e radhës. Seanca e radhës u caktua për më 11 korrik, në ora 09. Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans”, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.
 
Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit  njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj. Ndryshe më 23 nëntor, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, autobusi i “Besa Trans”, ku si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU