Botë
Kurti: Kam ofruar dalje të qëndrueshme nga kriza në veri
07.06.2023 18:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ofroi një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ofroi një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri, e cila, është shkaktuar “nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë atje”.
Ai tha se këtë qëndrim e ka dhënë gjatë takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, dhe atë evropian, Mirosllav Lajçak, të mbajtur në Prishtinë më 5 qershor.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi. Ne u takuam, bashkëbiseduam në zyrën time me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale paralele të Serbisë atje. E para, është sundimi i ligjit. Kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-së, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm e të grupeve kriminele. Pra, pika e parë është sundimi i ligjit. E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar.”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media në Mitrovicë.
