Maqedoni

Këshilli gjyqësor dhe Këshilli i prokurorëve, Xhelili: Zhvillimet e fundit, devalvim i drejtësisë

08.06.2023 13:22

Ngjarjet e vazhdueshme në Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve po shpijnë edhe më shumë në devalvimin..

Ngjarjet e vazhdueshme në Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve po shpijnë edhe më shumë në devalvimin akoma më të madh të sistemit të drejtësisë dhe rënien e besimit të qytetarëve, vlerëson eksperti juridik, Fadil Xhelili. Sipas tij, situata e tillë është e papranueshme për një shoqëri demokratike dhe një shtet që pretendon anëtarësimin në BE. Vlerëson se këto organe kanë humbur kredibilitetin e tyre dhe është çështje kohe kur do të duhet që të merren hapa konkret në rizgjedhjen e tyre. Reagimet e drejtpërdrejta të ambasadorëve, ai i sheh si pozitive që mund të rezultojnë edhe me trysni konkrete.
 
“Reagimi i ambasadës holandeze është sinjal i parë pozitiv se ambasadat e BE-së dhe ShBA-të të reagojnë dhe kritikojnë punën e organeve të gjyqësorit. E gjithë kjo besoj se do të rezultojë edhe me një trysni konkrete të ambasadave, që më në fund faktorët politik në vend të jenë të detyruar të marrin masa konkrete, gjegjësisht të fillohet një reformë e mirëfilltë e sistemit të drejtësisë. Heshtja dhe mosreagimi i faktorëve politik ndaj një gjendje të tillë të katandisur të sistemit të drejtësisë vetëm se thellon akoma më shumë këtë gjendje apatie dhe e rrit mosbesueshmërinë e qytetareve në sistemin gjyqësor.”, - deklaroi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
 
Këshilli gjyqësor, devalvoi organin më të lartë në sistemin e drejtësisë dhe dëshmoi gjendjen kaotike të një niveli të ulët të përgjegjësisë dhe të ndërgjegjes të vet anëtarëve të Këshillit gjyqësor, shtoi Xhelili. 
 
“Kjo përbërje e Këshillit të prokurorëve dhe Këshillit gjyqësor kam përshtypjen se më tepër u shërben konjukturave të caktuara politike, se sa vet zbatimit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive qytetarëve.”, - theksoi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
 
Dalja e vetme nga kjo situatë kaotike, sipas Xhelilit, mund të ndodhë me një përbërje të re të këtyre dy organeve kyçe të drejtësisë, ku prezenca e personave politike do të duhet të eliminohet dhe përbërja e tyre kryekëput të jetë nga njerëz profesionist, të dëshmuar në sferën e drejtësisë. Kjo reformë, sipas tij, gjithsesi duhet të përfshijë edhe organet e tjera që përbëjnë sistemin e drejtësisë duke filluar me akademinë për gjykatës dhe prokurorë, e cila aspak nuk është dëshmuar si filtër dhe si institucion që bën filtrimin e kuadrove të mirëfillta, të juristëve të ri të përgatitur, që nesër të ushtrojnë profesionin e gjykatësit dhe prokurorit.
 
FLORIJE KAMBERI