Maqedoni
Kuadri për zbatimin e ligjeve evropiane, Selimi: Derisa vijon skriningu, shteti t’i sigurojë
08.06.2023 13:46
Implementimi i reformave dhe ligjeve evropiane kërkon angazhimin e shumë aktorëve nga fusha dhe profile të ndryshme dhe përveç resurseve kadrovike...

Implementimi i reformave dhe ligjeve evropiane kërkon angazhimin e shumë aktorëve nga fusha dhe profile të ndryshme dhe përveç resurseve kadrovike, të sigurohen edhe resurset e tjera teknike, thotë analisti politik Sefer Selimi. Sipas tij, kjo duhet bërë në kohën kur po rrjedh procesi i skriningut, në mënyrë që kur të fillojmë me përmbushjen e kushteve dhe implementimin e legjislaturës evropiane, shteti t’i ketë siguruar kapacitetet e duhura. Është me rëndësi, thotë Selimi që në këtë fazë të selektohen kuadrot më profesionale dhe jo të përzgjidhen në baza partiake.
“Do të duhet angazhim i ekspertëve në akademi, në shoqërinë civile ekspertëve të pavarur, por pse jo edhe duke angazhuar ekspertë të cilët kanë kaluar nëpër këtë proces. Shteti gjatë kësaj kohe të skriningut do të duhet të mobilizojë kapacitetet plotësuese. Administrata jonë publike ka kapacitete, megjithatë këto kapacitete janë të limituara dhe në shumë raste nuk shfrytëzohen për arsye nga më të ndryshmet, ku mbi të gjitha mbizotëron keqmenaxhimi i resurseve humane, për shkak të partizimit të administratës publike, e cila do të jetë një nga kritikat kryesore të BE-së.”, - deklaroi analisti politik, Sefer Selimi.
Procesi i skriningut po vijon sipas kalendarit të paraparë dhe pritet të përmbyllet në nëntor, ndërkohë që vendi po pret raportet e KE-së për skriningun bilateral për klasterët e mbaruar, ku më pas do t’i përgatisë udhërrëfyesit për detektimin dhe realizimin e reformave dhe progresit të shtetit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
