Botë

Rama për veriun e Kosovës, Rama propozon draftin e tij për Asociacionin

08.06.2023 14:32

Në një dalje jo të zakontë në lidhje me Kosovën, kryeministri Edi Rama u shpreh se situata është shumë shqetësuese...

Në një dalje jo të zakontë në lidhje me Kosovën, kryeministri Edi Rama u shpreh se situata është shumë shqetësuese për sa i përket pozitës së saj tek ndërkombëtarët. Rama doli me një draft-propozim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
 
“I kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni dhe presidentin e KE-së dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian, një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në një situatë të tillë thotë Rama, ishte e pamundur që të qëndronte thjesht si spektator.
 
“Arsyeja se pse e ndaj publikisht sot është sepse situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë se si Kosova tkurret në sytë e atyre që e krijuan shtetin e Kosovës.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, Rama e sheh si çelësin e fitores së Kosovës.
 
“Është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Duke theksuar se Serbia e ka humbur Kosovën që prej vitit 1999 dhe nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë asaj asnjë fije floku, Rama komentoi edhe zërat për shpalljen e Albin Kurtit “Non grata” nga ShBA-të.
 
“Nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, por e Kosovës si e tërë, unë dua vetëm suksesin e Kurtit, të Qeverisë së Kosovës dhe asgjë tjetër.”, - shtoi mes tjerash kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Reagimi ishte i menjëhershëm nga ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili tha se ky draft është hartuar në Beograd me Aleksandër Vuçiq.
 
LULJETA NDOKA