Maqedoni

Takimi Kovaçevski – Mickoski, LSDM: VMRO pranoi ndryshimet për pushtet

08.06.2023 15:51

Vetëm një ditë pas takimit të liderëve, e cila u realizua në mes liderëve të dy partive më të mëdha politike maqedonase...

Vetëm një ditë pas takimit të liderëve, e cila u realizua në mes liderëve të dy partive më të mëdha politike maqedonase, kanë trazuar ujërat në rrafshin politik. Sipas LSDM-së, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e tyre në Qeveri i ndryshuan mendimet dhe bindjet e tyre, e kjo u dëshmua më së miri në takimin e dy liderëve. Sipas zëdhënëses së LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, Mickoski edhe pse qëndronte fuqishëm në qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, ai në takim i pranoi edhe ndryshimet kushtetuese, por edhe pjesëmarrjen e tyre në këtë Qeveri, të cilën po e kritikojnë.
 
“Mickovski dhe VMRO-DPMNE-ja, defakto kanë ndryshuar qëndrimin, pranuan ndryshime kushtetuese dhe pranuan që të marrin pjesë në Qeveri për ardhmëri të përbashkët në bazat parimore me numrin e njëjtë të ministrave. Edhe kushtin që BDI-ja të mos jetë pjesë e Qeverisë në mënyrë të shpejtë u pranua nga vet BDI-ja, vetëm për të vetmin shkas që mos të gjenden nga ana e VMRO-DPMNE-së arsyetime tjera. Nga ana tjetër, kërkesa që ndryshimet në Kushtetutë të hyjnë në fuqi me vonesë, pra nga dita e konferencës së dytë ndërqeveritare, u pranua. Kërkesa për zgjedhje që do ta implementon Qeveria e përbashkët po ashtu u pranua.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
VMRO: Ofroi një opsion fitues
 
Por, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Mickovski në takimin e liderëve ka ofruar një opsion fitues për vendin, me ruajtjen e identitetit maqedonas dhe pa BDI-në në Qeveri. Por, për realizimin e planit sipas VMRO-DPMNE-në do të duhet të realizohen zgjedhje, sepse sipas saj Qeveria aktuale nuk mund të sigurojë shumicë për ndryshimet kushtetuese. 
 
“VMRO-DPMNE ofroi një opsion fitues, Maqedoninë në BE dhe identitetin e ruajtur, por për Kovaçevskin është më e rëndësishme që BDI të mos jetë opozitë, sesa Maqedonia të ecë përpara. Presidenti Mickoski dha 3 data të mundshme për zgjedhje në vjeshtë, pas së cilës VMRO-DPMNE si fituese është e gatshme të formojë Qeveri me të gjitha partitë përveç BDI-së, e cila do të jetë qeveri e unitetit të gjerë kombëtar. Qëllimi i Qeverisë do të jetë ruajtja e identitetit maqedonas dhe integrimi në BE.”, thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së. 
 
Musliu: BDI u mbajti leksion të gjithëve
 
Vendimi i BDI-së që të largohet nga Qeveria vetëm vendi të ecë në rrugën evropiane, analistët politik e kanë quajtur një vendim shumë të drejtë dhe me këtë BDI u ka mbajtur një leksion skenës politike, e posaçërisht VMRO-DPMNE-së, se kur është në pyetje interesi shtetëror, duhet të lihet anash interesi partiak.
 
“Fillimisht dua të theksoj se dy çështje u sqaruan, gatishmëria e VMRO-së të hyjë në ndryshimet kushtetuese, pra gatishmëria e saj që për atë të bëhet kompromis edhe kjo është e pakontestueshme. Pra, VMRO-ja nuk tha se nuk jam për ndryshimet, por i kushtëzoi ndryshimet. Dhe e dyta, Ali Ahmeti dhe BDI-ja u kanë mbajtur një leksion edhe partive maqedonase.  Pranimi i BDI-së që nëse duhet për këtë punë të shkojë në opozitë është një inkurajim edhe për subjektet politike maqedonase e veçanarisht për VMRO-DPMNE-në që interesi shtetëror, çdoherë duhet të jetë mbi atë partiak.”, - theksoi analisti politik, Albert Musliu. 
 
ASh konsideron se takimet e radhës të liderëve politik duhet të bëhen në mes të gjithë subjekteve relevante, por me rëndësi, sipas ASh-së, është që të realizohen ndryshimet kushtetuese. Për Alternativën vendimi i BDI-së të largohet nga Qeveria është vetëm një zemërgjerësi e rreme. 
 
FITIM KRYEZIU