Aksident i rëndë në Serbi, 40 të lënduar, 20 në gjendje të rëndë

24.02.2015 10:39

Dyzet persona janë lënduar, prej të cilëve 20 në gjendje të rëndë në aksidentin e komunikacionit që ka ndodhur në orën 5 të mëngjesit në rrugën afër fshatit Donje Krajince, rrugës për në qytetin serb Nish, transmetojnë mediumet kosovare...

Fjala është për një furgon me emigrantë që ilegalisht kanë hyrë në Serbi, dhe me siguri kanë qenë rrugës për në Hungari.

Sipas informacioneve të para të publikuara nga mediat serbe, fjala është për emigrantë nga Nigeria, Bangladeshi dhe Siria, ndërsa fatmirësisht nuk përmendet asnjë kosovar.

Pesë prej emigrantëve që kanë qenë në furgon janë në rrezik për jetën, ndërsa fjala është për dëmtimin e shtyllës kurrizore dhe gjakderdhje në tru.

Në Spitalin e Leskovcit sipas mediave serbe, thonë se një aksident të tillë nuk e kanë përjetuar asnjëherë.

“Ende nuk dihet saktë numri i personave që kanë qenë në furgon, ndërsa të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitalin e komunës së Leskovcit dhe në Qendrën Klinike të Nishit”, thuhet në policinë e Leskovcit.