Maqedoni

Të pastrehët në Maqedoninë e Veriut, “Kryqi i kuq”: Duhet të integrohen në shoqëri

08.06.2023 16:52

Numri i të pastrehëve në Maqedoninë e Veriut çdo vit vjen duke u rritur....

Mbi 350 persona të pastrehë janë pranuar nëpër qendrat e pritjes, tregojnë të dhënat e fundit të regjistrimit. Ky numër është shumë më i madh se sa shifrat e sipërpërmendura, pasi një pjesë e madhe e të pastrehëve nuk janë të regjistruar.
 
“Kemi shumë raste të suksesshme gjatë 15 viteve të fundit, pra diku 15 persona janë ri-integruar në shoqëri, kjo në saje të bashkëpunimit me Qendrat për Punë Sociale dhe Pushtetit Lokal. Sfida jonë më e madhe në 12 muajt e fundit është: projekti ynë i hedhur në letër, që ka nevojë të zbatohet. Ky projekt mjaft interesant ka për qëllim zhvillimin dhe forcimin e aftësive dhe njohurive te këta persona. Nuk mjafton vetëm të ndihmohen financiarisht, por më me rëndësi është që të integrohen dhe të bëhen të aftë për vete.”, - deklaroi Suzana Tuneva Paunovska nga “Kryqi i kuq”.
 
“Të pastrehët janë një kategori që nuk bëjnë përjashtim vetëm për një vend, përkundrazi të gjitha shtetet e rajonit dhe në Ballkanin Perëndimor, madje në të gjithë Evropën edhe vendet më të pasura dhe me zhvillim bashkëkohor përballen më këtë sfidë, kudo, mbase edhe më shumë se tek ne.”, - theksoi dekani i Fakultetit të sigurisë – Shkup, Nikola Dujovski. 
 
Sipas ministres për Punë dhe Politikë Sociale, qasje për ndryshime dhe zgjidhjen e këtij problemi, ka mjaftueshëm, por  nevojitet bashkëpunim dhe koordinim më i madh i të gjitha institucioneve.
 
“Duke pasur parasysh kërkesat specifike të shoqërisë në komuna dhe rajone të ndryshme, si dhe kompetencat e komunave me ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me reformat në ligjin për Mbrojtje Sociale, është paraparë ofrimi i mbrojtjes sociale nga ana e komunave, Qytetit të Shkupit dhe komunave në Qytetin e Shkupit, mbi të cilin ligj në kuadër të planeve rajonale është themeluar Këshilli Komunal, siç është krijuar Këshilli për Mbrojtje Sociale, por nevojitet bashkëpunim më i madh mes institucioneve.”, - u shpreh ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
 
Në proces të përgatitjes është ligji për Ndërmarrjet Sociale. Përmes këtij ligji, personave me status të rrezikuar social apo të pastrehët, do t’ju mundësohet riintegrim social dhe angazhim nëpër vende pune.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU