Botë
Drafti i Ramës për Asociacionin, reagime nga zyrtarët dhe partitë në Kosovë
08.06.2023 17:11
Në ditën kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se u ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman...

Në ditën kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se u ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Scholz dhe presidentit francez Macron, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare në Kuvend ka thënë se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.
“Unë këtë mund të thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendët që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative, ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është “si Kali i Trojës” së Beogradit, me qëllim për ta bërë Kosovës shtet jofunksional.
“Kosova ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për arsyet e vërteta të Serbisë për insistimin në formimin e Asociacionit. Asociacioni nuk kishte për qëllim asnjëherë të integronte serbët vendas në Kosovë, por si “Kali i Trojës” së Beogradit për ta bërë vendin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje.”, ka shkruar Bislimi në një seri cicërimash në Twitter.
Bislimi tha se “Non-paper” i kohëve të fundit i hartuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve ofron dëshminë më të fortë deri më tani për synimin e vërtetë pas insistimit të Serbisë për Asociacionin në Kosovë. Rama vetëm po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin, ka qenë reagimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja. Mos pajtim shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka thënë se kompetente për propozimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë është vetëm Qeveria e Kosovës. Por, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit Edi Rama mbi draftin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar si hap “të rëndësishëm dhe të mirë”. Hoxha thotë se këtë draft e ka parë, por ka refuzuar të jap detaje.
GYLTENE SINANI
