Botë

Gjermania pranon draft statusin e Ramës, nuk e komenton përmbajtjen

09.06.2023 11:49

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ditë më parë ka dalë me një draftpropozim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditë më parë ka dalë me një draft propozim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ia ka përcjellë presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz. Gjermania tashmë ka konfirmuar se ka pranuar propozimin e Ramës, por që nuk ka komentuar përmbajtjen e tij.

“Ne mund të konfirmojmë marrjen e një dokumenti të tillë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se nuk duam të komentojmë përmbajtjen konfidenciale.”, tha për Kosova Online, zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

Rama njoftoi dje se i ka dërguar presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një propozim për draft statutin e Bashkësisë së Komunave Serbe, duke shtuar se nuk e kupton ngurrimin e autoriteteve të Kosovës për të depërshkallëzuar situatën në veri, e cila po merr përmasat e një tragjedie politike për Kosovën. Kujtojmë se ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit, i cili është i autorizuar me Marrëveshjen e Brukselit për hartimin e Statutit, ka paraqitur propozimin e tij gjatë raundit të fundit të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel. Ai propozim, megjithatë, nuk u miratua nga Qeveria e Kosovës dhe vetëm një ditë më vonë shkarkoi ekipin menaxhues.