Botë

Drafti i Ramës për Asociacionin po shihet si tekst serioz në BE

09.06.2023 13:30

Drafti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin, po shihet si “tekst serioz” në BE....

Drafti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin, po shihet si “tekst serioz” në BE. Kështu kanë thënë për Evropën e Lirë burime diplomatike në Bashkimin Evropian, që kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit, duke theksuar se “teksti është i shkruar me shumë seriozitet dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë. Por, në pyetjet se a do të merret parasysh ky draft, për të avancuar në dialog, këto burime kanë thënë se “ky tekst shihet si një kontribut në këtë drejtim, sikurse edhe drafte tjera që janë punuar deri më tash nga organizatat e ndryshme joqeveritare.”. 
 
“Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ja këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre, që në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi.”, ka thënë një diplomat i BE-së.
 
Ndërkohë, nga zyra e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë konfirmuar pranimin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që e dërgoi kryeministri Rama pa dhënë më shumë detaje. “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj, për shkak se nuk mundemi të komentojmë në përmbajtjen konfidenciale.”, kanë thënë nga zyra e Scholzit.
 
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 
 
Derisa për presidentin serb Aleksanadar Vuçiq thotë se e konsiderojnë si një partner të mirë. Por, deputeti gjerman në Parlamentin Evropian Reinhard Bütikofer, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit Hill. Përmes një postimi në Twitter, politikani gjerman ka thënë se kjo është “thjeshtë çmenduri”.
 
Kurti: Sundimi i ligjit, i domosdoshëm
 
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbetet në qëndrimin se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara.
 
“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme, si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.”, ka thënë Kurti në takimin me ambasadorin britanik, Nicholas Abbott.
 
KFOR-i: Prapa protestave qëndruan grupe kriminale
 
Ndërkohë, zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qëndruar mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj. Ai, tha se janë të gatshëm që të përdorin të gjitha masat nëse eskalon situata në veri.                                                  
 
“KFOR-i është i gatshëm të veprojë në çdo situatë të eskalimit. Ushtarët tanë janë të trajnuar dhe të gatshëm për të përdorur te gjitha rrugët, nëse është e nevojshme.”, - theksoi zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Andrea Gallieni.
 
Gallieni, njëherit tha se më 29 maj nuk kishte koordinim mes KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës, ndërsa prej 5 qershorit, mbi 500 pjesëtarë të NATO-s kanë arritur në Kosovë, për të përforcuar misionin. Ndërkohë, serbët janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
 
GYLTENE SINANI