Maqedoni

Viti shkollor 2022/2023 përfundon për nxënësit e shkollave të mesme, për filloristët më 14 qershor

09.06.2023 14:32

Viti shkollor 2022/2023 përfundon për nxënësit e shkollave të mesme....

Viti shkollor 2022/2023 përfundon për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa për nxënësit e shkollave fillore mësimi do të përfundojë  të mërkurën, më 14 qershor. Ky ishte një vit i mbushur me sfida të ndryshme, si paralajmërime  të rreme për bomba, evakuime, boshatisje shkollash, frika për krizën energjetike, pasiguri për dhënien e provimit të maturës shtetërore, për shkak të grevës së qendrës së provimeve shtetërore.
 
“Kemi humbur mjaft orë, profesorët ishin këtu për ne gjithë kohën na kanë ndihmuar me materialet që të arrijmë.”, - tha një nxënëse.
 
“Ishte stres me paralajmërimet  për bomba, kemi humbur orë, por prapë mirë ishte.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
 
Sfida ka pasur shumë, por problemet i kemi trajtuar denjësisht, thotë drejtori i gjimnazit “Nikola Karev”.
 
“Kemi pasur pak problem rreth mënyrës së kompensimit të orëve të humbura, sepse gjimnazi ynë ishte mjaftë i përfshirë me paralajmërimet për bomba, megjithatë në bashkëpunim me profesorët, me nxënësit kemi pasur mësim shtesë dhe mësim online.”, - deklaroi drejtori i gjimnazit “Nikola Karev”, Andrej Manollev. 
 
Më 27 maj maturantët e kanë dhënë provimin e parë ekstern të maturës shtetërore në gjuhën amë, ndërsa ditën e nesërme do ta kenë provimin e dytë ekstern, gjegjësisht në lëndën zgjedhore.
 
VLORA LATIFI STOPOJANI