Botë

Ukrainë, Biden dhe Sunak ritheksojnë mbështetjen

09.06.2023 14:51

Një grup diversant rus ka hedhur në erë hidrocentralin dhe digën e Kakhovkës në Ukrainën jugore...

Një grup diversant rus ka hedhur në erë hidrocentralin dhe digën e Kakhovkës në Ukrainën jugore, pohoi Kievi, duke cituar një telefonatë që shërbimi i sigurisë i Ukrainës tha se vërtetonte këtë skenar. Moska raporton se sulmi është kryer nga një dron, ndërsa po akuzohet për sulme në infrastrukturën civile. Për shkak të përmbytjeve, mijëra banorë të rajonit Kherson u detyruan të evakuoheshin.
 
“Terroristët rusë po përpiqen të përkeqësojnë më tej situatën që krijuan me ekocidin e tyre. Vazhdojnë të bombardojnë Khersonin dhe bashkësitë  rajonale që u përmbytën nga terroristët. Ata po bombardojnë edhe pikat e evakuimit, gjë që tregon ligësinë  që  asnjë terrorist tjetër në botë nuk e ka përveç atij rus.”, - deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
 
“Nuk duhet të harrojmë se përmbytja e papritur katastrofike u shkaktua nga sabotimi i palës ukrainase.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
 
Presidenti amerikan Biden thotë se Perëndimi ka bërë gjithçka për të përgatitur Ukrainën. Pas takimit me kryeministrin britanik, Sunak, ata përsëritën angazhimin e tyre për të ndihmuar Kievin të zmbrapsë pushtimin e vazhdueshëm rus.
 
“Unë besoj se kemi financat e nevojshme për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. Dhe besoj se do t'i ndihmojmë, edhe pse në Capitol Hill diskutohet nëse dhe deri kur duhet ta bëjmë atë. I pyes njerëzit të imagjinojnë se çfarë do të ndodhë nëse ne nuk e mbështesim Ukrainën.”, - u shpreh presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
 
“Për herë të parë në gjysmë shekulli, ne po përballemi me luftë në kontinentin evropian. Siç e kam thënë më parë, ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar janë bërë  bashkë  për të mbështetur Ukrainën dhe vlerat e demokracisë dhe lirisë.”, - deklaroi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak.
 
Rrënimin e digës e kanë  dënuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. 
 
“Diga nuk është bombarduar, është shkatërruar nga eksplozivi i vendosur në hapësirat  ku janë vendosur turbinat. Kjo pjesë është nën kontrollin rus, pjesa ku ndodhën shpërthimet. Unë nuk isha atje për të parë se kush e bëri atë, por indikacionet tregojnë se nuk mund të jetë dikush tjetër nëse është nën kontrollin rus.”, - theksoi shefi i Diplomacisë  Evropiane, Josep  Borrel. 
 
Luftimet vazhdojnë në front. Luftëra të ashpra në Zaporozhye dhe Donetsk. Kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës për të rimarrë nën kontroll territoret e vendit të pushtuara nga Rusia ka filluar, ku  fokusi i kundërofensivës së shumëpritur ukrainase do të jetë në Zaporizhja.
 
GAZMEND KURTISHI