Maqedoni
Përmbytjet në Dellçevë, punohet për sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonës
09.06.2023 15:51
Ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale -“Bregallnica”, si dhe zjarrfikësit lokal të Dellçevës...

Ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale -“Bregallnica”, si dhe zjarrfikësit lokal të Dellçevës janë duke punuar për sanimin e dëmeve që u shkaktuan nga përmbytjet e një dite më parë në Dellçev. Reshjet e rrëmbyeshme kanë përmbytur një pjesë të bodrumeve të shtëpive dhe objekteve tjera në qytet. Përmbytjet kanë shkaktuar vështirësi në komunikacion, pasi është dëmtuar infrastruktura e qytetit. Reshjet nga breshëri të cilat kanë qenë me madhësi të një lajthie kanë shkaktuar dëme edhe në kopshtari dhe në plantacionet e frutave.
“Është punuar deri në ora 5 të mëngjesit, sidomos aty ku ka pasur shtëpi të përmbytura nga uji. Kemi pastruar bodrumet me pompa për thithjen dhe derdhjen e ujit nga shtëpitë në kanale. Edhe gjatë ditës në terren kanë qëndruar dhe vazhdojnë të jenë ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale, ekipet e zjarrfikësve, gjithashtu ka edhe ekipe policore. Jemi mobilizuar për të pastruar edhe gurët nëpër rrugë. Do të punojmë edhe gjatë fundjavës që të mund ta kthejmë qytetin sa më shpejt,siç ishte përpara përmbytjeve. Sistemi i ujësjellësit të qytetit është në funksion dhe qytetarët mund të pinë ujë.”, - deklaroi kryetari i Dellçevës, Goran Trajkovski.
Si ndihmë për rajonet e përmbytura në Dellçevë, komuna e Gjorqe Petrovit e para ka ndarë 30.000 denarë mjete finaciare, njoftoi kryetari i kësaj komune Aleksandër Stojkovski.
“Komuna e Gjorçe Petrovit është komuna e parë e Shkupit që ka vendosur shprehimisht të ndihmojë zonën e prekur. Solidariteti është sinonim i Gjorçe Petrovit dhe të tregosh humanizëm në momente kaq të vështira është madhështia e të mëdhenjve. Ne jemi gjithmonë në anën e cilësisë dhe virtytit më të madh njerëzor të një individi apo kolektivi. Pavarësisht dallimeve partiake, fetare apo të tjera, në momente fatkeqësish të tilla, është detyra jonë morale t'i ndihmojmë kolegët tanë me çfarëdo mënyre.”, - theksoi kryetari i komunës Gjorçe Petrov, Aleksandër Stojkovski.
Një pjesë më e madhe e qytetit për shkak të motit të ligë është pa furnizim me energji elektrike. Nga fotografitë dhe video-xhirimet e publikuara nga qytetarë mund të shihen rrugët e plasaritura dhe tërësisht të shkatërruara, ndërsa niveli i ujit arrin thuajse deri te dritaret e automobilave. Nga komuna e Dellçevës apelojnë qytetarët që të paraqesin çfarëdo lloj dëme eventuale.
FARIJE DAUTI BAKIJU
