Maqedoni

Krijimi i Qeverisë së gjerë, përplasen LSDM dhe VMRO-DPMNE

09.06.2023 16:13

Pranimi i ndryshimeve kushtetuese, si dhe pjesëmarrja në një Qeveri të gjerë janë një bazë e mirë...

Pranimi i ndryshimeve kushtetuese, si dhe pjesëmarrja në një Qeveri të gjerë janë një bazë e mirë dhe e rëndësishme është që dialogu me VMRO-DPMNE-në të vazhdojë, thonë social-demokratët. Sipas zëdhënësit të LSDM-së, Kaevski, situata e krijuar politike nuk lë hapësirë për rivalitet politik dhe nervozizëm, por për bisedime që do t'i sjellin një të ardhme evropiane vendit. 
 
“Tani më e rëndësishmja është që dialogu me VMRO-DPMNE të vazhdojë. Pranimi i amendamenteve kushtetuese, si dhe pjesëmarrja në një Qeveri të gjerë për integrime evropiane janë një bazë e mirë, tani duhet të ulemi bashkë dhe të vazhdojmë debatin për të realizuar agjendën evropiane, në interes të qytetarëve dhe shtetit. Nuk ka nevojë që VMRO-DPMNE të shfaqë një nervozizëm kaq të madh.”, - deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaeski.
 
Partia opozitare kërkon që kryeministri të japë dorëheqjen nga posti, për shkak të krizës në të cilën ka zhytur vendin. Sipas VMRO-DPMNE-së, në vjeshtë duhen zgjedhje për të ulur tensionet në shoqëri, një qeveri kalimtare në të cilën BDI nuk do të marrë pjesë. 
 
“Nervozizmi është në LSD, sepse BDI po shkon në opozitë dhe disa nga të arsyeshmit në atë parti e dinë se VMRO-DPMNE do të udhëheqë një luftë të pa kompromis kundër krimit në të gjitha nivelet. Nëse nuk kanë gabuar, nuk duhet të jenë nervozë. Presim dorëheqjen e Kovaçevskit. Por, gjëja më e habitshme është se patriotët e vetëshpallur, në fakt tani po luftojnë që BDI të qëndrojë në pushtet dhe që maqedonasit të ndahen.”, - theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Në takimin e liderëve, Kovaçevski i propozoi Mickoskit të bëhet pjesë e Qeverisë duke lëshuar pesë pozita për ta me kusht votimin e ndryshimeve kushtetuese. Ofertë e cila pranohet nga opozita, por pa pjesëmarrjen e BDI-së në të dhe  garanci se ndryshimet kushtetuese do të vlejnë nga dita e ratifikimit të protokollit për anëtarësim në parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.  Nga ana tjetër edhe BDI-ja, pranon të mos jetë pjesë e Qeverisë, por me kusht që VMRO-DPMNE të mbështesë ndryshimet kushtetuese, të cilat do të hynin në fuqi para formimit të Qeverisë.
 
SANIJE DURAKU