Sadiku: Të përsëritim suksesin e vitit 2016

09.06.2023 16:37

Kombëtarja shqiptare e futbollit sot ka zhvilluar ditën e pestë të aktiviteteve të saja për dy ndeshjet e qershorit ndaj Moldavisë...

Kombëtarja shqiptare e futbollit sot ka zhvilluar ditën e pestë të aktiviteteve të saja për dy ndeshjet e qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Sulmuesi Armando Sadiku u rikthye në përfaqësuesen kuqezi pas tre vjetësh. Ai doli para mediave dhe u shpreh shumë i lumtur dhe shtoi se shanset për Europian janë të shumta.
 
“Jam shumë i bindur dhe kam besim. Nuk ka ekipe të dobëta por grupi na lejon ta arrijmë qëllimin. Nëse kemi edhe mbështetjen e tifozëve dhe me Moldavinë e nisim me këmbën e mbarë, e arrijmë qëllimin dhe shpresoj ta arrijmë e të jem sërish protagonist si 2016-tën. Moldavia është ekip i fortë dhe do të rrijë në mbrojtje por të mundohemi të shfrytëzojmë rastet sepse e di që do të na furnizojë mesfusha.” tha Armando Sadiku, futbollist I Shqipërisë.
 
Adrian Bajrami është një nga të grumbulluarit e trajnerit Silvinjo. Pasi ka lënë pas një dëmtim të rëndë, mbrojtësi 21 vjeçar u shpreh se është gati për të dhënë më të mirën pasi dëmtimin e ka kaluar.
 
“Nuk ka skuadra të lehta. Të gjitha janë të vështira dhe duhet të japim maksimumin e të jemi të fokusuar se çfarë ndodh në fushë. Kam edhe 2 vite kontratë me Benfikën. Ëndrra ime është të jem i ekipit parë por futbollit nuk i dihet. Jam në Kombëtare dhe pas Kombëtares do të shoh se çfarë sjell e ardhmja.”, tha Adrian Bajrami, futbollist I Shqipërisë
 
Shqipëria ndeshjen e saj të parë  në qershor ndaj Moldavisë do ta luaj me 17 qershor në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Atmosfera në grup është mjaft e mirë dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike.