Debat i ashpër për Ukrainën

24.02.2015 14:40

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka quajtur Këshillin e Sigurimit në OKB “mjet për miratimin automatik të vendimeve të marra nga vendet perëndimore”...

Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “metoda të neveritshme”, përfshirë edhe, siç ka thënë, “grushtshtetin jokushtetues në Ukrainë një vit më parë”. Lavrov i ka cilësuar ndërhyrjet e Perëndimit në Siri, Libi dhe Irak si shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Pouer, ka akuzuar po ashtu Moskën për shkelje të Kartës së OKB-së me trajnimin, armatosjen dhe luftimin përkrah separatistëve, që kanë uzurpuar territorin e Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, thotë se Rusia ka nisur një “luftë hibride” në vendin e tij dhe ka shtuar se Kievi mund të kërkojë mision paqeruajtës të OKB-së për të ndihmuar në mbajtjen e armëpushimit në lindje të Ukrainës. Në një tjetër zhvillim, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se lufta me Ukrainën “vështirë” se mund të ndodhë. Në një intervistë për Televizionin Shtetëror rus, Putin ka thënë se lufta e tillë do të ishte “një skenar apokaliptik”.

“Mendoj se një skenar i tillë apokaliptik nuk ka gjasa dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë”- deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe shumë qeveri evropiane thonë se Rusia siguron armë, pajisje ushtarake dhe trupa për separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë forcat qeveritare të Ukrainës në lindje të këtij vendi. Putin i ka hedhur sërish poshtë këto akuza dhe ka thënë se është gabim që Kievi fajëson Rusinë për humbjen e forcave të Ukrainës në qytetin Debaltseve. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)