Prizren, shënohet 145 vjetori i Lidhjes Shqiptare
Në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit....

Në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajt manifestimi qendror për shënimin e 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve në kohën kur rrezikohej ekzistenca e kombit, deklaroi prsidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Pikërisht në këtë datë, më 10 qershor të vitit 1878, patriotët shqiptarë u tubuan nga të katër anët e dëshmuan vetëdije të lartë kombëtar, duke mos pranuar që të mbeteshin nën okupim por as të mbeteshin pre e shteteve fqinje gllabërues. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte thirrje për bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë” – tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo Lidhje krijoi kombin tonë dhe kundërshtoi copëzimin e trojeve shqiptare deklaroi me këtë rast presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
“Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit” – u shpreh Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Kryeministri Albin Kurti tha se 10 qershori i kthen për çdo vit shqiptarët në Prizren, e se kjo datë është po aq e rëndësishme, sa 28 Nëntori e 17 Shkurti.
“10 qershori i viti 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik i shqiptarëve i cili vazhdon edhe sot. Prandaj çdo 10 qershor ne vijm në Prizren për ta kujtuar Lidhjen tonë nga vendi ku ajo u ngjiz dhe mori jetë pastaj për tu shtrirë në tër hapsirën shqiptare deri te ne sot. Prandaj sot i kemi këtu presidentët e të dyja shteteve tona republikane të Shqipërisë dhe Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën kultivuese institucionale të idealedhe dhe interesave politike të kombit shqiptarë” – deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.
Më 10 qershor 1878 në Prizren, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet shqiptare, ai i Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë me 110 delegatë. (Gyltene Sinani, TVM2)
