Rikthehet virusi i gripit, ambulancat plot
Rritja e temperaturave dhe dielli i javës së fundit nuk arritën të ulin numrin e pacientëve të prekur nga gripi...

Temperaturë e lartë, të vjella, kollitje dhe dhimbje fyti janë simptomat më të shpeshta. Ambulancat janë plot, sidomos me fëmijë e të moshuar. Shumë qytetarë ankohen se gripi i sivjetshëm u është rikthyer, madje edhe nga dy herë dhe antibiotikët dhe infuzionet e vitaminave janë shpeshtuar.
“Tani e kam unë gripin gati dy javë. Fare nuk mundem, këmbët më dhembin, po kollitem shumë, shumë grip i keq”- u shpreh një qytetar.
“Shihni vetë se çfarë kohe është, s’ka pastërti, ambienti i ndotur ka shumë viruse. Erdha sot t’ia bëj djalit analizat e gjakut”- tha një qytetare.
“Kam pasur dhimbje të fytit, mirëpo vajta te mjeku, u kontrollova, piva disa ilaçe dhe më kaloi”- theksoi një qytetar.
Mjekët për TVM-2 thonë se pacientët që rikthehen me simptoma gripi, në fakt vuajnë të njëjtën sëmundje në mënyrë të modifikuar, por me simptoma më serioze.
Nëse para vitit të ri pacientet ishin të prekur nga gripi me simptoma shumë të thjeshta të ftohjes, tanimë ata vijnë në gjendje më të rëndë, kanë temperaturë të lartë dhe kolliten thellë. Mjekët janë detyruar në të shumtën e rasteve t’u japin pacientëve antibiotikë, që të mos vijë deri në ndezje të mushkërive.
“Gripi sezonal në këtë periudhë të dimrit ka marrë një ndryshim, modifikim në përmbajtën e saj, andaj është rikthyer. Është i njëjti grip, por me modifikim të një pjese të zinxhirit të saj. Ky grip dallohet se pacientët tani kanë temperatura shumë të larta, sidomos fëmijët, ndërsa te pleqtë me kollitje përsëritet. Te gripi i parë simptomat e pacientëve ishin me rrjedhje të sekretit në hundë, me temperaturë dhe kollitje, ndërsa tek gripi i fundit vetëm një simptomë dominon”- deklaroi mjekja, Sejfan Ferati Belçishta.
Gripi i detyron qytetarët të humbasin oreksin, por mjekët apelojnë që këta pacientë duhet të hanë, qoftë edhe me zor, pasi mungesa e ushqimit zgjat jetën e viruseve në organizëm. Vazhdojnë të vlejnë këshillat e zakonshme. Sa më shumë lëngje, fruta dhe ajrosje të ambienteve ku jetoni. (Rexhep Qamili, TVM2)
